Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, u ka bërë thirrje vendeve myslimane të forcojnë unitetin dhe të shmangin përçarjet, ndërsa ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se përpiqen të shfrytëzojnë dallimet brenda botës islame për të zgjeruar ndikimin e tyre.
Në një deklaratë me shkrim, Khamenei tha se dallimet racore, kulturore, sociale, ekonomike, politike dhe gjeografike po përdoren, sipas tij, si instrumente për të krijuar mosmarrëveshje mes myslimanëve në Iran dhe në vende të tjera islamike.
“Ata përpiqen t’i kthejnë dallimet e ndryshme racore, kulturore, sociale, ekonomike, politike dhe gjeografike në pretekste për të krijuar mosmarrëveshje midis popullit mysliman në Iran dhe në çdo vend tjetër islamik”, deklaroi ai.
Sipas Khameneit, fuqitë e jashtme synojnë të përfitojnë nga fragmentimi dhe dobësimi i botës islame për të rritur ndikimin dhe kontrollin e tyre.
“Nga kjo perspektivë, ata vëzhgojnë fragmentimin e Ummetit Islamik dhe dobësimin e forcave të tij, duke pritur momentin e duhur për të imponuar dominimin e tyre mbi ta”, u shpreh ai, duke kërkuar shmangien e veprimeve që mund të thellojnë përçarjet mes myslimanëve.
Një pjesë të rëndësishme të mesazhit të tij, Khamenei ia kushtoi çështjes palestineze dhe situatës së sigurisë në rajon, duke argumentuar se mungesa e unitetit mes vendeve myslimane i ka bërë ato më të cenueshme përballë krizave dhe konflikteve.
“A do të ishte kombi palestinez i mbetur kaq i pambrojtur, i nënshtruar ndaj shtypjes dhe krimeve të pushtuesve, nëse myslimanët do të ishin të bashkuar dhe do të shtrëngonin grushtat e tyre me forcë?”, pyeti Khamenei.
Ai iu drejtua gjithashtu vendeve të Gjirit Persik, duke argumentuar se një bashkëpunim më i fortë mes shteteve myslimane do të kufizonte, sipas tij, ndërhyrjen dhe ndikimin e fuqive të jashtme në rajon.
“Dhe a do të kishin guxim kombet dhe qeveritë që jetojnë rreth Gjirit Persik t’i linin keqbërësit e korruptuar dhe pa identitet, nga mijëra kilometra larg, të lakmonin tokat dhe pasuritë e tyre, nëse do të vendosnin unitetin nën flamurin e Islamit?”, deklaroi ai.
Në përfundim, Udhëheqësi Suprem i Iranit u bëri thirrje drejtuesve të vendeve myslimane që të identifikojnë atë që ai e cilësoi si “armikun e tyre të vërtetë”, të kuptojnë planet e tij dhe të veprojnë në mënyrë të përbashkët për t’u përballur me të.
Khamenei përdori tone të ashpra ndaj Uashingtonit dhe Izraelit, duke i cilësuar ato si kundërshtarët kryesorë të unitetit të vendeve myslimane.
“Sundimtarët kriminelë të Amerikës dhe regjimi i rremë sionist janë armiq të betuar të këtij uniteti dhe miqësie. Ata nuk janë vetëm armiq të Republikës Islamike, të kombit iranian dhe të frontit të gjerë të rezistencës islame; ata gjithashtu ushqejnë armiqësi ndaj të gjithë botës myslimane, përfshirë kombet e Azisë Perëndimore dhe Afrikës Veriore”, përfundoi Khamenei.


