Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka përshëndetur pjesëmarrjen e Egnatias në UEFA Conference League, duke e cilësuar këtë sukses si një moment të rëndësishëm për futbollin shqiptar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Duka u shpreh krenar për arritjen e klubit nga Rrogozhina, që do të jetë pjesë e garës europiane.
“Me krenari të veçantë ndoqa sot shortin e UEFA Conference League! Për herë të parë në histori, një klub shqiptar mes klubeve të Conference League! Një arritje e jashtëzakonshme për Egnatian dhe futbollin shqiptar!”, shkroi presidenti i FSHF-së.
Duka i përcolli gjithashtu urimet klubit rrogozhinas për aventurën europiane dhe i uroi suksese në përballjet që e presin.
“Urimet e mia dhe shumë suksese në Europë!”, përfundoi ai.
Pjesëmarrja e Egnatias në Conference League përbën një tjetër rezultat të rëndësishëm për klubin, i cili vitet e fundit është konsoliduar mes skuadrave më konkurruese të futbollit shqiptar dhe tashmë synon të lërë gjurmë edhe në arenën europiane.


