Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas takimit të zhvilluar me deputetët dhe drejtuesit e njësive organizative të Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri politik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te organizimi i “Pranisë Besnike”, metodologjia e “BESËS” dhe sistemi i ri “PasqyrAlbania”.
Sipas kryeministrit dhe njëherësh kreut të Partisë Socialiste, takimi shërbeu për të diskutuar mënyrën e organizimit dhe funksionimit të strukturave socialiste në Qarkun e Tiranës, duke hedhur një hap të mëtejshëm drejt përgatitjes së sezonit të ri politik.
“Me deputetët dhe drejtuesit e tjerë të njësive organizative të Partisë Socialiste të Qarkut Tiranë, patëm sot një diskutim të dobishëm për organizimin e Pranisë Besnike, metodologjinë e BESËS dhe sistemin e ri të PasqyrAlbania, duke hedhur një hap të nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik të Partisë Socialiste”, shkruan Rama.
Takimi me përfaqësuesit e Qarkut të Tiranës vjen në vijim të mbledhjeve të zhvilluara nga kryeministri me drejtuesit politikë të qarqeve dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste, me fokus organizimin në terren, forcimin e kontaktit me qytetarët dhe përgatitjen e strukturave për fazën e ardhshme politike.


