Një debat i ri është hapur mes Greqisë dhe Turqisë për çështjet e Egjeut, këtë herë pas hyrjes në fuqi të një plani të ri të Athinës për zhvillimin e industrisë dhe qendrave të furnizimit në territorin grek.
Plani, i cili hyri në fuqi më 28 gusht, përcakton zonat ku mund të zhvillohen aktivitete industriale, të krijohen qendra biznesi dhe logjistike, si dhe rregullat që duhet të respektohen për mbrojtjen e mjedisit. Por përfshirja në të edhe e ishujve dhe zonave të Egjeut ka sjellë reagimin e Ankarasë.
Ministria e Jashtme e Turqisë deklaroi se vendimet dhe planet e miratuara nga Greqia nuk krijojnë pasoja juridike për palën turke. Ankaraja përsëriti gjithashtu qëndrimin e saj se në Egje ekzistojnë ishuj të vegjël dhe formacione gjeografike, sovraniteti i të cilave, sipas Turqisë, nuk i është kaluar Greqisë përmes traktateve ndërkombëtare.
Reagimi i Athinës ishte i menjëhershëm. Ministria e Jashtme greke i cilësoi pretendimet e Ankarasë si “të pabazuara dhe të papranueshme”, duke argumentuar se përsëritja e tyre sa herë që Greqia miraton një plan të ri territorial nuk u jep atyre bazë juridike apo vlefshmëri.
Qeveria greke këmbëngul se çështjet e sovranitetit në Egje përcaktohen qartë nga traktatet ndërkombëtare në fuqi. Athina sqaroi gjithashtu se dokumenti i ri nuk është një plan ushtarak dhe nuk synon të përcaktojë kufij të rinj, por është një instrument ekonomik dhe urbanistik për organizimin e zhvillimit industrial dhe logjistik brenda territorit grek.
Plani përcakton, ndër të tjera, se ku dhe në çfarë kushtesh mund të zhvillohen industria, bizneset dhe qendrat e shpërndarjes së mallrave. Në Athinë dhe Selanik, për shembull, kufizohet ngritja e fabrikave të reja jashtë zonave të organizuara industriale, ndërsa për ishujt parashikohen rregulla të posaçme për shkak të hapësirës së kufizuar dhe nevojës për mbrojtjen e mjedisit.
Sipas Athinës, përplasja nuk lidhet me vetë aktivitetin industrial, pasi Greqia po vendos rregulla për zhvillimin ekonomik brenda territorit të saj. Turqia, nga ana tjetër, argumenton se përfshirja e zonave të diskutueshme të Egjeut në dokumentet dhe planet greke nuk mund të përdoret si provë juridike e sovranitetit të Greqisë mbi to.
Pavarësisht toneve të forta, Ankaraja la të hapur mundësinë e vazhdimit të dialogut. Ministria e Jashtme turke deklaroi se mbetet e angazhuar për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në frymën e Deklaratës së Athinës të dhjetorit 2023 dhe se Turqia vazhdon të jetë e gatshme për bashkëpunim me Greqinë.
Përplasja shënon episodin e dytë të tensioneve mes Athinës dhe Ankarasë brenda pak ditësh. Dy vendet u përplasën së fundmi edhe për planet greke që lidhen me energjinë e rinovueshme dhe parqet detare në Egje, çështje gjatë së cilës Turqia ngriti sërish pretendimet e saj për sovranitetin e disa ishujve dhe formacioneve gjeografike.


