Lamallari mbledh prefektët e 12 qarqeve: Çdo shqetësim i qytetarëve duhet të marrë përgjigje dhe zgjidhje

29 Aug 2026 23:19
Shpërndaje:

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka zhvilluar një takim me prefektët e 12 qarqeve të vendit, me fokus forcimin e komunikimit me qytetarët dhe rritjen e përgjegjshmërisë së administratës publike në territor.

Përmes prefektëve, të cilët përfaqësojnë një hallkë të rëndësishme të shtetit në territor, Lamallari përcolli edhe porositë e Kryeministrit për vendosjen e një standardi më të lartë komunikimi me qytetarët, i cili duhet të jetë profesional, korrekt, i besueshëm dhe i shpejtë.

Ministri theksoi se çdo ditë një numër i madh qytetarësh u drejtohen institucioneve të Prefektit për të marrë shërbime dhe informacion, por edhe për të kërkuar zgjidhje për problematika që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Për këtë arsye, sipas tij, çdo kërkesë duhet të trajtohet me vëmendjen dhe seriozitetin e nevojshëm.

Reklamë Ola

“Çdo shqetësim apo kërkesë për informacion e qytetarëve meriton vëmendje dhe ne kemi detyrimin të përgjigjemi dhe të japim zgjidhje”, deklaroi Lamallari.

Ai nënvizoi se përgjegjësia e institucioneve nuk duhet të përfundojë vetëm me marrjen apo regjistrimin e një kërkese, por duhet të vazhdojë deri në adresimin konkret të problematikës së ngritur nga qytetari.

Reklamë InterMedika

Sipas ministrit të Brendshëm, besimi i qytetarëve tek institucionet ndërtohet përmes pranisë së administratës në territor, komunikimit të vazhdueshëm dhe, mbi të gjitha, ofrimit të zgjidhjeve konkrete.

“Besimi ndërtohet aty ku qytetari ndihet i dëgjuar dhe ku institucionet veprojnë me zgjidhje konkrete. Ky është standardi që duhet të udhëheqë punën e çdo shërbëtori publik në çdo cep të vendit”, theksoi Lamallari.

Takimi me prefektët vjen në kuadër të kërkesës për një administratë më të pranishme dhe më të përgjegjshme në territor, me synimin që shqetësimet e qytetarëve të ndiqen deri në marrjen e një përgjigjeje apo zgjidhjeje konkrete.