Marrëveshja historike prej 18 miliardë dollarësh mes Meta-s dhe 47 shteteve amerikane për mbrojtjen e fëmijëve në Facebook dhe Instagram po ushtron presion të ri mbi Bashkimin Europian, ku rregullatorët prej vitesh hetojnë kompaninë për çështje të ngjashme, por ende pa arritur masa të krahasueshme.
Marrëveshja e arritur të mërkurën i jep fund një beteje ligjore shumëvjeçare dhe konsiderohet një nga marrëveshjet më të mëdha në historinë amerikane të mbrojtjes së konsumatorit. Meta ka pranuar të vendosë një sërë kufizimesh dhe mekanizmash të rinj për të reduktuar rreziqet që mund të krijojnë platformat e saj për adoleshentët.
Ndryshimet do të zbatohen në Facebook dhe Instagram gjatë 10 viteve të ardhshme. Mes tyre përfshihen kufizimi i kohës ditore që të miturit mund të kalojnë në platforma, verifikime më rigoroze të moshës së përdoruesve dhe çaktivizimi i filtrave kozmetikë për adoleshentët.
Zhvillimi në SHBA ka ngritur menjëherë pyetjen nëse përdoruesit europianë do të kenë të njëjtin nivel mbrojtjeje, veçanërisht duke marrë parasysh se BE-ja ka prej vitit 2023 një kuadër të posaçëm ligjor për platformat e mëdha online përmes Aktit të Shërbimeve Digjitale, DSA.
Ish-komisioneri europian Thierry Breton, i cili ishte ndër figurat kryesore në hartimin dhe zbatimin e rregullave europiane për platformat online deri në vitin 2024, kritikoi ritmin e veprimit të Brukselit.
“Në mënyrë ironike, 9 nga 12 masat mbulohen nga DSA, ligji ynë që prej vitit 2023. Gjykatat amerikane po ecin më shpejt se Komisioni Europian. Duhet ta zbatojmë DSA-në tani”, shkroi Breton.
Edhe eurodeputeti gjerman Andreas Schwab kërkoi që standardet e zbatuara nga Meta në SHBA të shtrihen te përdoruesit europianë. Sipas tij, kompania tashmë do të duhet t’u ofrojë përdoruesve amerikanë në disa drejtime masa që shkojnë përtej atyre që aktualisht ofrohen në Europë.
Presioni ndaj Brukselit shtohet edhe për faktin se Komisioni Europian ka tashmë hetime të hapura ndaj Meta-s për mbrojtjen e të miturve. Në korrik, Komisioni akuzoi kompaninë për shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale për shkak të elementeve të dizajnit në Facebook dhe Instagram që konsiderohen se nxisin përdorimin e varur të platformave.
Në prill, Meta u akuzua gjithashtu se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të parandaluar përdorimin e platformave nga fëmijët nën 13 vjeç.
Hetimi europian mbi dizajnin që krijon varësi dhe mbrojtjen e të miturve ka më shumë se dy vjet që vazhdon, por deri tani nuk ka sjellë masa të krahasueshme me ato të dakordësuara në SHBA apo penalitete për mosrespektim.
Eurodeputetja spanjolle Laura Ballarín Cereza i kërkoi të enjten Komisionit Europian shpjegime se përse Meta ka pranuar ndryshime të tilla vetëm për përdoruesit amerikanë, ndërkohë që po diskuton me autoritetet europiane pikërisht për të njëjtat problematika.
Ajo kërkoi të dijë se si Komisioni do të garantojë që qytetarët e Bashkimit Europian të mos mbeten me një nivel më të dobët mbrojtjeje sesa përdoruesit në Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshja amerikane e vendos kështu Brukselin përballë një prove të rëndësishme për efektivitetin e legjislacionit të tij digjital. BE-ja ka miratuar disa prej rregullave më të rrepta në botë për kompanitë e mëdha teknologjike, por zhvillimi i fundit në SHBA po zhvendos debatin nga fuqia e ligjeve europiane te shpejtësia dhe efektiviteti me të cilin ato zbatohen.


