Shqipëria drejt njohjes së kualifikimeve profesionale me BE-në, projektligji i ri hidhet për konsultim

28 Aug 2026 14:54
Shpërndaje:

Ministria e Arsimit ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri që synon të krijojë një sistem të unifikuar për njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara në vendet e Bashkimit Europian, Zonës Ekonomike Europiane dhe Zvicrës, si dhe të përcaktojë rregullat për aksesin dhe ushtrimin e profesioneve të rregulluara në Shqipëri.

Nisma vjen në kuadër të procesit të integrimit europian dhe detyrimeve të Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit vendas me acquis communautaire. Sipas relacionit, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit kërkon që legjislacioni ekzistues dhe ai i ardhshëm të përafrohet gradualisht me atë të Bashkimit Europian dhe të zbatohet në mënyrë efektive.

Projektligji synon të harmonizojë kuadrin shqiptar me direktivat europiane që rregullojnë njohjen e kualifikimeve profesionale dhe testin e proporcionalitetit. Këto rregulla lidhen drejtpërdrejt me të drejtën e vendosjes dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, dy elemente thelbësore për funksionimin e tregut të përbashkët europian.

Reklamë Ola

Në praktikë, sistemi i BE-së mundëson që një person i kualifikuar për një profesion të rregulluar në një shtet anëtar, pasi të plotësojë kushtet përkatëse, të mund ta ushtrojë të njëjtin profesion edhe në një shtet tjetër anëtar. Shqipëria synon të krijojë paraprakisht kuadrin ligjor që do ta bëjë të mundur funksionimin e këtij mekanizmi pas anëtarësimit në BE.

Nevoja për ndryshimet ligjore është evidentuar edhe gjatë procesit të screening për Kapitullin 3 të acquis communautaire, që lidhet me të drejtën e vendosjes dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve. Edhe raportet e progresit të Komisionit Europian kanë evidentuar nevojën për transpozimin e plotë të dy direktivave që lidhen me njohjen e kualifikimeve profesionale dhe testin e proporcionalitetit.

Reklamë InterMedika

Shqipëria ka ndërmarrë ndërkohë disa hapa në këtë drejtim. Në nivel rajonal, vendi ka nënshkruar marrëveshje për njohjen e kualifikimeve profesionale në profesionet sektoriale në kuadër të CEFTA-s, me synimin për të lehtësuar lëvizjen e profesionistëve.

Këshilli i Ministrave ka miratuar gjithashtu akte për përafrimin me kërkesat minimale europiane të formimit për shtatë profesione të rregulluara: mjekët, infermierët, stomatologët, kirurgët veterinarë, mamitë, farmacistët dhe arkitektët.

Megjithatë, pavarësisht hapave të ndërmarrë, sistemi i plotë për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe rregullat për zbatimin e testit të proporcionalitetit nuk janë transpozuar ende plotësisht në legjislacionin shqiptar.

Për këtë arsye, projektligji synon të krijojë një sistem të njësuar dhe funksional për njohjen e kualifikimeve profesionale, veçanërisht për profesionet sektoriale. Në të njëjtën kohë, parashikohet një kuadër i qartë për testin e proporcionalitetit, i cili do të përdoret gjatë hartimit të rregullave të reja që mund të kufizojnë aksesin ose ushtrimin e profesioneve të rregulluara.

Një tjetër objektiv është përmbushja e angazhimeve të Shqipërisë që burojnë nga marrëveshjet rajonale për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale.

Në perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, projektligji synon të krijojë kushtet që profesionistët shqiptarë të përfitojnë nga mekanizmat europianë të njohjes së kualifikimeve dhe të lehtësohet lëvizja e tyre profesionale brenda BE-së që nga momenti i anëtarësimit të Shqipërisë.