Rusia ka kërcënuar se mund të godasë objektet ushtarake britanike në Ukrainë, si kundërpërgjigje ndaj përdorimit nga Kievi të raketave të prodhuara në Britani për sulme ndaj objektivave brenda territorit rus.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi të enjten se Britania dhe Franca po “luajnë me zjarrin” duke i ofruar Ukrainës teknologji të ndjeshme raketore.
Sipas saj, përfshirja gjithnjë e më e madhe e Londrës në mbështetjen ushtarake për Kievin mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta.
“Pala britanike është në thelb një hap larg shndërrimit nga një bashkëpunëtor de facto në një bashkëpunëtor de jure të Kievit në agresion. Dhe sigurisht që do të ketë pasoja përkatëse”, deklaroi Zakharova.
Zëdhënësja ruse paralajmëroi gjithashtu se veprimet e Britanisë dhe Francës mund të sjellin pasoja të paparashikueshme për Londrën dhe Parisin.
Kërcënimet nga Moska vijnë pasi udhëheqësit e Britanisë dhe Francës u zotuan të rrisin më tej mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Gjatë një takimi të aleatëve të zhvilluar të hënën, në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, të dy vendet u angazhuan t’i japin Kievit akses në teknologji të klasifikuar dhe të përshpejtojnë dërgesat e raketave të mbrojtjes ajrore.
Deklaratat e Moskës shënojnë një tjetër përshkallëzim të retorikës ndaj vendeve europiane që furnizojnë Ukrainën me armë dhe teknologji ushtarake.


