Përfundon operacioni i riatdhesimit nga Siria, pesë shtetas shqiptarë kthehen në atdhe

26 Aug 2026 09:15
Shpërndaje:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi përfundimin e operacionit për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, gra dhe fëmijë.

Sipas MEPJ-së, operacioni ishte rezultat i një procesi të gjatë koordinimi mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

Ministria thekson se kthimi i shtetasve nga zonat e prekura nga konflikti është pjesë e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të tij edhe në rrethana të vështira.

Reklamë Ola

Pas mbërritjes në Shqipëri, të riatdhesuarit do t’u nënshtrohen vlerësimeve shëndetësore dhe psikosociale dhe do të marrin asistencën e nevojshme. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë procesin për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

MEPJ falënderoi strukturat shqiptare të përfshira në operacion, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, për mundësimin e procedurave dhe tranzitit të sigurt.

Reklamë InterMedika

Task-Forca ndërinstitucionale do të vazhdojë punën për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të kthyer, si dhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga Siria, kur të krijohen kushtet për kthimin e tyre të sigurt.