Përplasje mes bashkive për mbetjet, Rrogozhina i përgjigjet Kavajës: Mos transferoni përgjegjësinë, zona është në territorin tuaj

25 Aug 2026 23:37
Shpërndaje:

Bashkia Rrogozhinë ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, lidhur me zonën problematike të grumbullimit të mbetjeve, duke hedhur poshtë pretendimin se ajo ndodhet në territorin e Rrogozhinës.

Sipas Bashkisë Rrogozhinë, verifikimi i hartave zyrtare administrative tregon se vendgrumbullimi në fjalë ndodhet brenda kufijve të Bashkisë Kavajë.

“Përgjegjësia fillon aty ku mbarojnë justifikimet. Faktet janë të qarta dhe nuk mund të mohohen. Kufijtë administrativë janë të përcaktuar zyrtarisht dhe zona në fjalë është pjesë e territorit të Kavajës”, thuhet në reagim.

Reklamë Ola

Bashkia Rrogozhinë thekson se nuk synon të përfshihet në debate institucionale, por kërkon që secila njësi vendore të marrë përgjegjësinë për territorin që administron.

Në reagim kritikohet drejtpërdrejt edhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, deklaratat e të cilit cilësohen si një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë për problematikën e denoncuar nga qytetarët.

Reklamë InterMedika

“Është e papranueshme që një kryetar bashkie të mos njohë kufijtë administrativë të territorit që drejton. Në vend të gënjeshtrave dhe justifikimeve, qytetarët presin zgjidhje konkrete për problemin e mbetjeve”, vijon reagimi.

Në përfundim, Bashkia Rrogozhinë i bën thirrje Bashkisë Kavajë të pranojë, sipas saj, faktet dhe të ndërhyjë për pastrimin e zonës, në vend që përgjegjësinë t’ua kalojë njësive të tjera vendore.