Rama mbledh kabinetin në Pogradec, nis sezoni i ri politik

23 Aug 2026 09:20
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë këtë të diel ministrat e kabinetit qeveritar në Pogradec, në një takim informal dyditor që shënon nisjen e sezonit të ri politik pas pushimeve verore.

Gjatë takimit, i cili do të zhvillohet të dielën dhe të hënën, anëtarët e qeverisë pritet të bëjnë një bilanc të punës së deritanishme dhe të raportojnë mbi realizimin e objektivave të vendosura.

Në fokus do të jenë gjithashtu prioritetet për vitin e dytë të mandatit të katërt qeverisës, si dhe detyrat që do të shoqërojnë ekzekutivin gjatë muajve të ardhshëm.

Reklamë Ola

Takime të tilla informale të kabinetit në prag të nisjes së sezonit të ri politik janë kthyer në një traditë për kryeministrin Rama, duke shërbyer si një moment bilanci dhe përcaktimi objektivash për qeverinë.

Pas përfundimit të takimit dyditor në Pogradec, vëmendja pritet të zhvendoset te Partia Socialiste. Në ditët e para të shtatorit, Rama pritet të mbledhë Asamblenë e PS-së, një prej forumeve kryesore politike të socialistëve.

Reklamë InterMedika

Mbledhja e Asamblesë shihet me interes edhe për shkak se kryeministri e ka përdorur këtë forum në të kaluarën për të komunikuar vendime të rëndësishme politike dhe qeverisëse, përfshirë ndryshime në përbërjen e kabinetit. Mbetet për t’u parë nëse këtë herë do të ketë lëvizje të tilla.

Takimi në Pogradec zhvillohet pas një sezoni të ngarkuar politik, të shoqëruar nga protesta të vazhdueshme të opozitës dhe qytetarëve gjatë më shumë se dy muajve të fundit, ku ndër kërkesat kryesore ka qenë dorëheqja e kryeministrit.

Me rikthimin e qeverisë dhe forcave politike në aktivitet të plotë, takimi dyditor i kabinetit hap praktikisht një sezon të ri, gjatë të cilit pritet të përcaktohen prioritetet e qeverisë për muajt në vijim.