Tirana po konsolidohet si një nga destinacionet më ekonomike për turistët në Europë, duke kombinuar çmimet e përballueshme me historinë, jetën urbane dhe mundësinë për të eksploruar natyrën pranë kryeqytetit.
Kështu shkruan Cris Tolomia për QZ.com, media ndërkombëtare e fokusuar kryesisht te biznesi dhe ekonomia, e cila e rendit kryeqytetin shqiptar mes destinacioneve europiane që ofrojnë një eksperiencë turistike me kosto relativisht të ulët.
Sipas shkrimit, një ditë e plotë në Tiranë mund t’i kushtojë një vizitori rreth 60 euro, afërsisht një e katërta e kostos së një dite të krahasueshme në qendër të Barcelonës.
Por çmimet nuk janë arsyeja e vetme që po tërheq vizitorët. Media ndalet edhe te transformimi i Tiranës gjatë dy dekadave të fundit, duke përmendur ndërtesat e periudhës komuniste të lyera me ngjyra të forta dhe bunkerët e Luftës së Ftohtë që janë shndërruar në muze dhe hapësira kulturore.
Në këtë kontekst veçohen Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, të cilët u japin vizitorëve mundësinë të njihen me dekadat e Shqipërisë nën regjimin izolacionist të Enver Hoxhës. E kaluara komuniste, sipas shkrimit, vazhdon të jetë një nga elementet që ngjall më shumë kuriozitet te turistët e huaj.
Një tjetër zonë që tërheq vëmendjen është Blloku. Dikur një hapësirë e rezervuar për drejtuesit e lartë të regjimit komunist dhe e paarritshme për qytetarët e zakonshëm, sot ajo është një nga qendrat kryesore të jetës sociale dhe të natës në Tiranë, me një përqendrim të madh baresh, kafenesh dhe restorantesh.
Edhe këtu, sipas QZ, çmimet mbeten dukshëm më të ulëta krahasuar me destinacionet e njohura të Europës Perëndimore. Një birrë vendase kushton disa euro më pak se në Barcelonë, ndërsa edhe vaktet me disa pjata në restorante konsiderohen të përballueshme, përfshirë lokalet më të sofistikuara të kryeqytetit.
Një rol të rëndësishëm në rritjen e Tiranës si destinacion turistik po luan edhe zgjerimi i fluturimeve me kosto të ulët. Rrjeti i linjave direkte drejt kryeqytetit shqiptar është rritur ndjeshëm, duke e lidhur Tiranën me një numër gjithnjë e më të madh qytetesh europiane.
Oferta turistike shtrihet edhe përtej qendrës së qytetit. Mali i Dajtit, i arritshëm me teleferik, ofron mundësi për ecje në natyrë dhe pamje panoramike, ndërsa nga Tirana mund të udhëtohet brenda pak orësh drejt bregdetit dhe destinacioneve të tjera turistike të vendit.
Media nënvizon se Tirana nuk është një destinacion bregdetar, por pikërisht kombinimi i jetës urbane me aksesin e shpejtë drejt maleve dhe bregdetit i shton alternativat për vizitorët.
Sipas QZ, kombinimi i kostove të ulëta, mundësisë për të eksploruar një pjesë të madhe të qytetit në këmbë dhe karakterit të veçantë urban po e shndërron Tiranën në një nga destinacionet turistike me buxhet të përballueshëm me rritjen më të shpejtë në Europë gjatë vitit 2026.


