Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri në orën 20:00 të 17 gushtit, në të gjithë territorin e vendit janë regjistruar 13 vatra zjarri, nga të cilat 7 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 të tjera ndodhen në monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 424 forca operacionale dhe 14 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet me 129 efektivë, dy automjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, operacionet po zhvillohen në mënyrë të koordinuar mes strukturave të Mbrojtjes Civile, forcave vendore dhe Forcave të Armatosura, ndërsa kapacitetet tokësore dhe ajrore janë përqendruar në zonat ku flakët vijojnë të jenë aktive.
“Në shumicën e zonave aktive nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa disa vatra janë izoluar, vënë nën kontroll ose shuar plotësisht”, bëri të ditur ministria.
Në Malin e Dajtit vijon operacioni me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Vatra në Priskë është vënë nën kontroll dhe po monitorohet, ndërsa zjarri në Vakumone është izoluar.
Një angazhim i konsiderueshëm po zhvillohet edhe në Gurë-Lurë, ku në operacion marrin pjesë 180 forca bashkiake, 15 forca policore, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, korridoret e krijuara në terren kanë penguar përhapjen e flakëve në drejtim të banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmës, zjarri është shuar në krahun e Bulqizës, ndërsa vijon të jetë aktiv në drejtim të Selishtës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Bruç të Matit, operacioni po zhvillohet në një terren të vështirë nga forcat vendore dhe vullnetarët, të cilët po mbështeten edhe nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Deri tani nuk ka rrezik për banesat apo blegtorinë.
Në Lufaj vijon puna e strukturave operacionale, ndërsa dy automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe nëntë efektivë janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj, për të qenë në gatishmëri në rast të përhapjes së flakëve. Vatra aktualisht nuk përbën rrezik për banesat.
Operacioni vijon edhe në Fushë-Lajë të Pukës, ku janë angazhuar nëntë efektivë të MZSH-së, shtatë forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatra e zjarrit në Rrjoll është shuar plotësisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.
Ministria e Mbrojtjes thekson se kapacitetet operacionale do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës.


