Ervis Gjoshi komandohet në krye të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi

17 Aug 2026 19:20
Shpërndaje:

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka prezantuar këtë të hënë Ervis Gjoshin si drejtorin e ri të komanduar të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.

Gjoshi vjen në këtë detyrë pas një karriere 18-vjeçare në Policinë e Shtetit dhe një eksperience të gjatë në drejtimin e strukturave të sigurisë.

Sipas ministrit Lamallari, ai ka shërbyer si zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ndërsa më herët ka mbajtur edhe detyrën e shefit të Komisariatit në Dibër.

Reklamë Ola

“Me një karrierë prej 18 vitesh në Policinë e Shtetit, me përvojë të gjatë në drejtimin e strukturave të sigurisë, si zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë në DVP Tiranë dhe më herët si shef Komisariati në Dibër, ai sjell në këtë detyrë eksperiencën dhe përgjegjshmërinë e nevojshme për një strukturë kaq të rëndësishme”, deklaroi Lamallari.

Ministri bëri të ditur se ndër prioritetet kryesore të drejtimit të ri do të jenë rishikimi i kuadrit ligjor për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe hartimi i një programi kombëtar për parandalimin e zjarreve.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, synimi është që qytetarët të kenë një shërbim profesional, të mirëorganizuar dhe të gatshëm për të ndërhyrë në çdo moment përballë emergjencave.

“Parandalimi është qëllimi madhor i qeverisë shqiptare dhe ajo çfarë presin më shumë qytetarët shqiptarë”, theksoi ministri i Punëve të Brendshme.

Ervis Gjoshi merr drejtimin e komanduar të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi pas dorëheqjes së Arben Carës nga ky institucion.