Gonxhja u përgjigjet kritikëve: Nuk lejojmë të baltosen punonjësit pa prova

14 Aug 2026 11:19
Shpërndaje:

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar ndaj kritikave dhe akuzave të adresuara ndaj institucionit që drejton dhe punonjësve të institucioneve të varësisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja vlerësoi veçanërisht punën e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), të cilin e cilësoi një model shërbimi, profesionalizmi dhe funksionimi me “zero burokraci”.

Sipas ministrit, rezultatet e arritura janë produkt i një pune kolektive, të shoqëruar me përkushtim dhe sakrificë. Ai veçoi rritjen e numrit të praktikave të zgjidhura, realizimin e programeve dhe projekteve, si dhe ndërhyrjet në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe rijetësimin e historisë.

Reklamë Ola

“Unë dhe ministria që drejtoj nuk jemi refraktarë ndaj asnjë kritike, auditi, kontrolli apo kërkese llogarie”, u shpreh Gonxhja.

Megjithatë, ai theksoi se nuk do të pranojë që punonjësit e institucioneve të sulmohen apo t’u cenohet dinjiteti pa prova dhe pa bazë ligjore.

Reklamë InterMedika

Gonxhja i cilësoi pretendimet e ngritura si të pabazuara, duke shtuar se publikimi i të njëjtave akuza në disa portale nuk e bën një informacion të rremë të vërtetë.

Ministri deklaroi se institucioni që drejton do të vazhdojë punën për rezultate konkrete në turizëm, kulturë dhe sport, ndërsa paralajmëroi se do t’u përgjigjet edhe atyre që, sipas tij, prodhojnë sulme të organizuara ndaj punës së ministrisë.

“Do gjejmë kohën jo vetëm të punojmë energjikisht për rekorde punësh të mira për vendin, sektorin dhe misionin tonë ekzekutiv e politik, por edhe për t’u grisur maskat dhe fletëgjobat tërë regjive okulte e frëngjive urrejtëse të mirëqeverisjes dhe të zhvillimit!”, shkroi Gonxhja.