NATO forcon kufirin me Rusinë, mijëra dronë dhe inteligjencë artificiale në vijën e parë të mbrojtjes

14 Aug 2026 10:01
Shpërndaje:

NATO po planifikon të forcojë krahun e saj lindor përmes një rrjeti të gjerë me mijëra dronë, sensorë, satelitë dhe sisteme të inteligjencës artificiale, me synimin për të zbuluar dhe zmbrapsur një sulm të mundshëm rus.

Nisma është pjesë e Eastern Flank Deterrence Initiative, një sistem i ri dixhital mbrojtës që do të shtrihet përgjatë kufijve të NATO-s me Rusinë dhe Bjellorusinë, nga veriu i Finlandës deri në Detin e Zi.

Sipas zyrtarëve perëndimorë, Aleanca po shqyrton përdorimin e inteligjencës artificiale për të asistuar operacionet me dronë. Megjithatë, qëllimi nuk është që sistemet të funksionojnë në mënyrë plotësisht autonome.

Reklamë Ola

AI mund të marrë përsipër pjesë të fluturimit dhe monitorimit, ndërsa vendimi për objektivin që duhet goditur do të vazhdojë të merret nga operatorët njerëzorë.

“Ne nuk kemi një milion pilotë. Nuk mund të fluturojmë një milion dronë në të njëjtën kohë”, tha majori i ushtrisë amerikane Ben Schiff, duke argumentuar se pjesët rutinë të fluturimit mund të automatizohen.

Reklamë InterMedika

Rrjeti i ri synon të lidhë informacionin e mbledhur nga sensorët, dronët dhe sistemet e ndryshme ushtarake të vendeve të NATO-s, në mënyrë që të dhënat për një kërcënim të mundshëm të shpërndahen në kohë reale.

Koncepti parashikon kalimin nga modeli tradicional i quajtur “kill chain”, ku informacioni kalon nga fronti te vendimmarrësi dhe më pas rikthehet te njësitë luftarake, drejt një sistemi “kill web”, ku sensorët, operatorët dhe sistemet e armëve janë të ndërlidhura dhe mund të reagojnë shumë më shpejt.

Pavarësisht zhvillimit të teknologjive të reja, tanket, avionët luftarakë dhe artileria do të vazhdojnë të përbëjnë shtyllën kryesore të forcës ushtarake të NATO-s.

Një pjesë e rëndësishme e strategjisë së re mbështetet në mësimet e nxjerra nga lufta në Ukrainë. Kievi ka avancuar ndjeshëm në përdorimin e inteligjencës artificiale për navigimin e dronëve, identifikimin e objektivave dhe rritjen e saktësisë së goditjeve.

Më shumë se 200 kompani ukrainase po zhvillojnë komponentë të bazuar në AI për dronë, raketa, radarë dhe sisteme të tjera ushtarake.

Megjithatë, si ushtria ukrainase ashtu edhe kompanitë e teknologjisë së mbrojtjes këmbëngulin që njeriu të ruajë kontrollin mbi vendimet kritike, veçanërisht për goditjen e objektivave.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se NATO nuk synon të kopjojë modelin ukrainas, por të përdorë përvojën e luftës për të përgatitur mbrojtjen e saj.

“Ne nuk po kopjojmë Ukrainën. Po mësojmë nga Ukraina”, deklaroi kapiteni amerikan Ronan Sefton.