Pamje spektakolare janë regjistruar gjatë stërvitjes shumëkombëshe RIMPAC 2026 në brigjet e Havait, ku ish-anija sulmuese amfibe amerikane USS Peleliu (LHA-5) u përdor si objektiv për një operacion fundosjeje.
Anija, e nxjerrë prej kohësh nga shërbimi dhe me një peshë prej rreth 40 mijë tonësh, u vu në shënjestër gjatë stërvitjes SINKEX, e cila synon të testojë armët dhe aftësitë luftarake në kushte sa më pranë skenarëve realë.
Pamjet tregojnë shpërthime të fuqishme në bordin e USS Peleliu, teksa anija goditet në mënyrë të përsëritur nga sisteme të ndryshme armësh.
Mes tyre ishin dy raketa kundër anijeve Harpoon, të lëshuara nga një nëndetëse, të cilat goditën drejtpërdrejt objektivin. Në operacion morën pjesë gjithashtu forca aleate, përfshirë ato të Spanjës dhe Japonisë.
Një nga elementet më të veçanta të stërvitjes ishte përdorimi i një mjeti sipërfaqësor pa pilot, USV, për të goditur anijen në një skenar të ngjashëm me një sulm “kamikaze”.
Sipas të dhënave të publikuara për stërvitjen, kjo shënon herën e parë që një mjet i tillë pa pilot përdoret për të sulmuar një anije objektiv gjatë një stërvitjeje SINKEX të SHBA-së.
RIMPAC konsiderohet një nga stërvitjet më të mëdha detare shumëkombëshe në botë dhe zhvillohet në zonën e Havait, me pjesëmarrjen e forcave detare amerikane dhe të vendeve aleate e partnere.


