Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vëngu, ka publikuar pamje nga projekti Lungomare 4, duke theksuar transformimin e segmentit rrugor Radhimë–Orikum dhe ndikimin e tij në përmirësimin e kushteve për banorët dhe pushuesit.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, Vëngu tregon ndryshimet e realizuara në këtë pjesë të bregdetit, duke theksuar se investimi ka eliminuar pluhurin, zhurmën dhe ka sjellë më shumë rregull e akses në zonë.
Sipas tij, projekti ka përmirësuar ndjeshëm përvojën e pushuesve dhe familjeve që frekuentojnë këtë segment të rivierës shqiptare.
“Lungomare 4 – një investim që e ka ndryshuar katërcipërisht fytyrën e segmentit nga Radhima drejt Orikumit, por mbi të gjitha ka ndryshuar përvojën e shumë familjeve dhe pushuesve. Sot nuk përballen më me pluhurin, zhurmën dhe rrëmujën e makinave që vinin nga të gjitha anët, por shijojnë një hapësirë më të rregullt, më të aksesueshme dhe shumë më dinjitoze për një prej zonave më të bukura të bregdetit shqiptar”, shprehet Vëngu.
Deputeti shton se, përveç përmirësimit të infrastrukturës dhe cilësisë së jetesës, investimi ka ndikuar edhe në rritjen e vlerës së pronave dhe aseteve në zonë, duke e bërë segmentin Radhimë–Orikum më tërheqës për banorët, turistët dhe investitorët.


