Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas shtyrjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të rendit kushtetues dhe mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në një komunikatë për media, PDK thekson se Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar qartë se Kuvendi duhet të konstituohej brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, afat që, sipas saj, përfundon këtë të premte.
Sipas PDK-së, në vend që të respektohej ky detyrim kushtetues, shumica parlamentare vendosi që, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës, ta shtyjë vazhdimin e saj për të shtunën në orën 11:00, pasi afati kushtetues të ketë skaduar.
“Ky nuk është vetëm një mosrespektim i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia opozitare deklaron se e kundërshton fuqishëm këtë veprim dhe paralajmëron se nuk do të qëndrojë pasive përballë, sipas saj, cenimit të rendit kushtetues.
“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të ligjit. Nuk ka demokraci funksionale aty ku vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën e Kosovës. Për fat të keq, sot Albin Kurti sërish zgjodhi pikërisht këtë rrugë”, përfundon deklarata e PDK-së.


