Një ditë para seancës konstituive, Kosova ende pa marrëveshje për formimin e institucioneve

05 Aug 2026 16:21
Shpërndaje:

Një ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, mbetet ende e paqartë nëse legjislatura e re do të arrijë të krijojë institucionet dhe të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar. Mungesa e një marrëveshjeje politike mes partive vijon të mbajë të hapur mundësinë e një krize të re institucionale.

Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ka të drejtën të propozojë krijimin e qeverisë dhe të udhëheqë procesin e konstituimit të Kuvendit, ajo nuk disponon votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë kreun e shtetit brenda afateve kushtetuese, Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

Ish-kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi të mërkurën se rezultati i zgjedhjeve ka treguar qartë se asnjë forcë politike nuk ka mundësi të qeverisë e vetme.

Reklamë Ola

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje duhet të heqë dorë ose nga posti i kryeministrit ose nga ai i presidentit, në mënyrë që të krijohen kushtet për një marrëveshje të gjerë politike.

Haradinaj theksoi se opozita është e gatshme të kontribuojë në krijimin e institucioneve, por vetëm nëse përfshihet në procesin e vendimmarrjes dhe në ndarjen e përgjegjësive institucionale.

Reklamë InterMedika

Nga ana tjetër, Nenad Rashiq, partner i deritanishëm i Albin Kurtit në qeveri, u shpreh se seanca e së enjtes pritet të shërbejë vetëm për konstituimin e Kuvendit, ndërsa formimi i qeverisë dhe institucionet e tjera do të kërkojnë negociata të mëtejshme.

Përpjekjet për të arritur një kompromis vazhdojnë, por deri tani pa rezultat. Të martën, kryeministri në detyrë Albin Kurti zhvilloi një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krijimin e institucioneve të reja. Megjithatë, bisedimet përfunduan pa një marrëveshje konkrete.

Situata politike mbetet e paqartë në prag të seancës konstituive, ndërsa vëmendja është përqendruar te negociatat mes partive për sigurimin e shumicës parlamentare që do të mundësonte jo vetëm krijimin e qeverisë së re, por edhe funksionimin e plotë të institucioneve të Kosovës gjatë këtij mandati.