LDK mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, delegatët votojnë për besimin ndaj Lumir Abdixhikut

30 Jul 2026 09:19
Shpërndaje:

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku 355 delegatë do të vendosin me votë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të drejtojë partinë apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit.

Kuvendi është thirrur pasi u plotësuan procedurat statutare dhe kërkesa u mbështet nga të paktën një e treta e delegatëve, kusht i nevojshëm për organizimin e një mbledhjeje të jashtëzakonshme.

Sipas njoftimit të LDK-së, Sekretariati i Përgjithshëm ka verifikuar se janë përmbushur të gjitha kriteret statutare për zhvillimin e procesit.

Reklamë Ola

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, caktoi mbajtjen e Kuvendit për datën 30 korrik, me fillim në orën 18:00, në përputhje me kompetencat e parashikuara në Statutin e partisë.

Nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit u dorëzuan në mesin e muajit korrik. Pas nisjes së këtij procesi, Abdixhiku vendosi të pezullojë negociatat për formimin e institucioneve të reja të Kosovës deri në përfundimin e votëbesimit ndaj tij.

Reklamë InterMedika

Nëse Abdixhiku merr mbështetjen e delegatëve dhe konfirmohet në krye të LDK-së, ai pritet t’u rikthehet bisedimeve për formimin e institucioneve të reja të vendit. Ndërkohë, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është planifikuar të mbahet më 6 gusht.

LDK ka bërë të ditur se i gjithë procesi do të zhvillohet në përputhje me Statutin e partisë, parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve.