Hungaria krijon Autoritetin Kombëtar për Rikuperimin e Pasurive, opozita e Orbán e quan hap kundër korrupsionit

28 Jul 2026 15:51
Shpërndaje:

Parlamenti hungarez ka miratuar krijimin e Autoritetit Kombëtar për Rikuperimin e Pasurive (NVVH), një institucion i ri që synon të ndihmojë autoritetet ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit dhe rikthimin e pasurive të përvetësuara në mënyrë të paligjshme.

Projektligji u miratua me 143 vota pro dhe 47 kundër. Kundër votuan deputetët e partisë Fidesz të ish-kryeministrit Viktor Orbán, i cili humbi pushtetin pas zgjedhjeve të prillit.

Kryeministri i ri, Péter Magyar, reagoi pas votimit duke akuzuar opozitën se nuk ka vullnet për të luftuar korrupsionin.

Reklamë Ola

“Fidesz natyrisht votoi kundër, sepse nuk duan të luftojnë korrupsionin”, deklaroi Magyar në një video të publikuar në Facebook.

Ai e cilësoi krijimin e autoritetit si një “hap të madh” drejt përmbushjes së një prej premtimeve kryesore të qeverisë së re.

Reklamë InterMedika

Sipas partisë së tij, TISZA (Partia e Respektit dhe Lirisë), institucioni do të ketë si mision rikuperimin e pasurive të përvetësuara në mënyrë të paligjshme dhe kthimin e tyre në shërbim të qytetarëve.

TISZA pretendon se gjatë dy dekadave të fundit mijëra miliarda forinta nga fondet publike kanë kaluar në duar private përmes korrupsionit dhe transaksioneve të paligjshme.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Fidesz dhe Partisë Popullore Demokrate Kristiane (KDNP), János Bóka, e kundërshtoi ashpër krijimin e autoritetit, duke e cilësuar atë një “polici politike”.

Sipas tij, institucioni i ri mund të përdoret për të monitoruar, ndjekur dhe intimiduar kundërshtarët politikë, ndërsa pasuritë e individëve dhe kompanive private mund të bëhen objekt i hakmarrjes politike.

Autoriteti i ri do të ketë kompetenca të gjera hetimore, të ngjashme me ato të prokurorisë. Ai do të mund të hyjë në ndërtesa, arkiva, magazina dhe ambiente serverash, të kontrollojë dokumente dhe pajisje të ruajtjes së të dhënave, të analizojë llogari bankare dhe instrumente të tjera financiare, si edhe të kërkojë bashkëpunimin e policisë, prokurorisë dhe autoriteteve tatimore e doganore.

Në raste të caktuara, institucioni do të ketë të drejtë të vendosë prona të paluajtshme nën administrim publik.

Sipas qeverisë, objektivat kryesorë të autoritetit janë mbrojtja e pasurisë publike, zbulimi i rasteve të keqmenaxhimit ose keqpërdorimit të fondeve shtetërore dhe rikthimi i pasurive të përvetësuara në mënyrë të paligjshme.

Parlamenti duhet të zgjedhë drejtuesin dhe zëvendësdrejtuesin e institucionit brenda 30 ditëve. Dy javë më parë, deputetët miratuan edhe ndryshimet kushtetuese që hapën rrugën për krijimin e këtij autoriteti.

Kritikët e Viktor Orbán e kanë akuzuar prej kohësh ish-kryeministrin se gjatë qeverisjes së tij pjesë të ekonomisë hungareze kaluan në duart e oligarkëve të afërt me pushtetin dhe se fondet e Bashkimit Evropian u keqpërdorën. Për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin dhe sundimin e ligjit, Bashkimi Evropian ka pezulluar një pjesë të fondeve të destinuara për Hungarinë.