Kosova: Nuk morëm ftesë për Samitin e NATO-s, nuk jemi vend anëtar
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka sqaruar se vendi nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Turqi, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP).
Në një përgjigje për KosovaPress, ministria theksoi se Kosova nuk ka qenë asnjëherë pjesëmarrëse në samitet e NATO-s si shtet, përveç rasteve kur është ftuar në aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e tyre.
“Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe. Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës”, thuhet në sqarimin zyrtar.
Sipas ministrisë, përjashtim ka qenë pjesëmarrja në aktivitete specifike, si iniciativa “Gratë, Paqja dhe Siguria”, e organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në kuadër të samitit të NATO-s vitin e kaluar.
Ministria rikujtoi se samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe të partnerëve që ftohen në raste të caktuara.
Pavarësisht mungesës së një ftese, Ministria e Mbrojtjes theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj synimit strategjik për anëtarësim në NATO, duke vijuar reformat dhe bashkëpunimin e ngushtë me Aleancën dhe shtetet anëtare.







