Balla depoziton projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit

13 Mar 2026 16:58
Shpërndaje:

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi sot se mazhoranca ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projekt-rezolutë për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor i terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Balla bëri të ditur se në projekt-rezolutë kërkohet gjithashtu që Garda Revolucionare Islamike (IRGC) të shpallet organizatë terroriste.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kam depozituar sot një projekt-rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë ‘Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor i terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste’, si dhe të shpallet menjëherë Garda Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste”, u shpreh Balla.

Reklamë Ola

Sipas tij, përmes kësaj rezolute u bëhet thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

Balla theksoi gjithashtu se “duke shpresuar që propozimi ynë për këtë Rezolutë të marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, kemi kërkuar që menjëherë pas miratimit ajo t’i përcillet Qeverisë tonë, qeverive aleate, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përkatës”.

Reklamë InterMedika