Deputeti socialist, Ulsi Manja, lexoi sot në seancë raportin rekomandues të përfaqësuesve të mazhorancës në Këshillin e Mandateve, ku theksoi se, në bazë të provave të paraqitura, ata kërkuan rrëzimin e kërkesës së Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Manja nënvizoi se deputetja nuk ushtron më asnjë funksion ekzekutiv dhe se akuzat e SPAK për mundësinë e prishjes së provave apo largimit nga vendi janë vetëm hipotetike.
“Ne kemi shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku. Në raportin e shumicës në këtë Parlament, duke u bazuar në nenet e Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, kemi konstatuar një realitet të ri faktik dhe institucional. Ky realitet juridik ndryshon tërësisht natyrën e shqyrtimit të kërkesës për autorizim nga Kuvendi. Fakti kryesor është se deputetja nuk ushtron më funksione ekzekutive. Për rrjedhojë, masa e pezullimit nuk prodhon asnjë efekt real juridik. Në të njëjtën linjë, raporti ynë e qartëson narrativën mbi të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin e saj. Rreziku për prishjen e provave ose arrestimet është hipotetik, për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me funksionet ekzekutive që deputetja nuk i ushtron më”, tha Manja.
Ai shtoi se për rastin në fjalë është bërë një gjyq publik dhe se Kuvendi duhet të ndajë politikën nga drejtësia, duke respektuar prezumimin e pafajësisë.
“Kjo çështje duhet t’i nënshtrohet vetëm drejtësisë, por sot është kthyer në një debat të ngritur politikisht para syve të qytetarëve. Ajo është kthyer në një gjykim publik dhe harron prezumimin e pafajësisë. Sot Kuvendi, për këtë arsye, duhet të flasë qartë, të ndajë politikën nga drejtësia, duke u bazuar në fakte dhe duke e ndarë gjykimin publik nga procesi i drejtësisë ligjore. Kuvendi nuk përballet me një votim të zakonshëm, por me një vendimmarrje që prek lirinë personale të një deputeti dhe balancën mes pushteteve në një shtet demokratik. Kuvendi nuk zëvendëson gjykatën dhe nuk gjykon fajësinë apo pafajësinë e deputetes”, përfundoi Manja.
Deputeti socialist, Ulsi Manja, deklaroi sot se masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullimi nga funksioni garanton hetimin dhe nuk ka nevojë për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. Ai theksoi se Kuvendi nuk është organ hetues, por vetëm kontrollon nëse janë përmbushur kushtet ligjore për kufizimin e lirisë personale të një deputeti.
Ai shtoi se akuzat mbeten të njëjta si më parë dhe nuk ka rrethana të reja që të justifikojnë arrestimin, si dhe nuk ekzistojnë akuza për pengim të drejtësisë.
“Masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullimi nga funksioni garanton hetimin. Kuvendi nuk është organ hetues, këtë e bën drejtësia. Kuvendi shikon nëse janë përmbushur kushtet ligjore për autorizimin e kufizimit të lirisë personale të deputetes Belinda Balluku.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesës dhe materialeve të paraqitura, kërkesa e SPAK lidhet me zëvendësimin e një funksioni ekzekutiv, të cilin deputetja e ka respektuar plotësisht dhe është gjykuar i përshtatshëm nga GJKKO, gjë e cila është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit e GJKKO.
Akuzat mbeten të njëjta që kanë ekzistuar më parë, qoftë nga SPAK, qoftë nga GJKKO, dhe nuk janë identifikuar rrethana të reja që të justifikojnë kërkesën e saj për arrestim. Nuk ka akuza për pengim të drejtësisë. Duke u bazuar në këto rrethana, sugjerojmë Kuvendit rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Nga shqyrtimi i materialeve dhe rrethanave që bashkëshkruanin kërkesën, nuk rezulton të jetë evidentuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë në raport me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe funksionimin e Kuvendit”, tha Manja.


