Rusia do të vazhdojë të furnizojë Serbinë me gaz me një çmim të favorshëm.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe ai rus Vladimir Putin zhvilluan sot gjatë një bisedë telefonike.
Ndërsa Kremlini konfirmoi se dërgesat e gazit do të vazhdonin, Vuçiç tha se të dy udhëheqësit kishin rënë dakord për një kontratë të re trevjeçare.
Serbia është shumë e varur nga furnizimet e gazit rus. Kontrata e furnizimit me gaz mes dy vendeve, skadon më 31 maj, e cila ka qenë në fuqi që nga dhjetori i vitit 2021 dhe deri më tani i ka dhënë Serbisë çmimin e dytë më të ulët të gazit në Evropë pas Bjellorusisë.
“Kontrata e re, e cila do të nënshkruhet brenda pak ditësh me gjigantin energjetik shtetëror rus “Gazprom” parashikon një çmim të gazit jashtëzakonisht të favorshëm”, tha Vuçiç sipas raporteve të mediave serbe.


