Detaje të reja janë zbuluar për mënyrën se si do të funksionojë platforma “Pasqyrë Albania”, e prezantuar nga kryeministri Edi Rama gjatë takimeve të qeverisë në Pogradec.
Platforma synon të krijojë një hapësirë të vetme ku qytetarët do të kenë akses te institucionet dhe do të mund të ndjekin në kohë reale trajtimin e kërkesave dhe shqetësimeve të tyre.
Sipas gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, “Pasqyrë Albania” do të jetë një version i modernizuar i platformës së “Bashkëqeverisjes” dhe do të ndahet në dy seksione kryesore.
Seksioni i parë do të quhet “Flamingo Mirror” dhe do të shërbejë për mbërritjen e sinjalizimeve dhe shqetësimeve të përditshme të qytetarëve.
Seksioni i dytë, i quajtur “Radar”, do të mbledhë problematikat e raportuara dhe do të mundësojë gjurmimin e tyre. Sipas informacioneve, shqetësimet do të duhet të gjurmohen brenda 48 orëve, ndërsa synimi është që ato të marrin zgjidhje brenda një afati deri në dy javë.
Rama e ka krahasuar sistemin me gjurmimin e një pakoje postare, ku qytetari mund të shohë në kohë reale statusin e kërkesës së tij, ndërsa institucionet do të mbajnë përgjegjësi për respektimin e afateve.
Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se një prej objektivave kryesore të nismës është rritja e besimit të qytetarëve te institucionet shtetërore përmes zgjidhjes së problematikave konkrete.
Efektiviteti i platformës së re pritet të ketë një nga testet e para politike në zgjedhjet lokale të vitit 2027.


