Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se Rusia pritet të intensifikojë tensionet dhe provokimet ndaj vendeve evropiane, me synimin për të dobësuar mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës.
Duke folur gjatë takimit të “Koalicionit të të Vullnetshëmve”, Macron shprehu solidaritet me vendet që, sipas tij, janë vënë në shënjestër gjatë javëve të fundit.
“Është e qartë se vendet e NATO-s do të jenë në shënjestër dhe se provokimet do të shumëfishohen. Duhet të vazhdojmë atë që kemi nisur të bëjmë në kuadër të NATO-s për të garantuar një qëndrim të vendosur”, deklaroi presidenti francez.
Macron kërkoi gjithashtu forcimin e masave kundër të ashtuquajturës “flota hije” të Rusisë, e përdorur për transportin e naftës dhe shmangien e sanksioneve ndërkombëtare.
Sipas tij, vendet evropiane duhet të dyfishojnë përpjekjet për vendosjen dhe zbatimin e sanksioneve, duke rritur njëkohësisht koordinimin mes tyre dhe duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
“Ministrat tanë të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme tashmë po punojnë në këtë front”, tha Macron.
Presidenti francez propozoi që në javët e ardhshme të zhvillohet një takim i posaçëm ministror, i fokusuar te masat kundër “flotës hije”.
Ai theksoi se objektivi është që vendet evropiane të veprojnë në mënyrë të koordinuar kudo që është e mundur, duke shtuar presionin ndaj Moskës, por pa rritur rrezikun e një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë të konfliktit.


