Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për t’i kërkuar që ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të mos hapet për qarkullimin e automjeteve.
Duke folur në Beograd, Vuçiç kundërshtoi planin për hapjen e urës dhe kritikoi komandantin e KFOR-it, gjeneralin Özkan Ulutaş, të cilin e bëri përgjegjës për zhvillimet e fundit.
“Këtë po e bën turku, komandanti i KFOR-it. Sot do t’i shkruaj Mark Rutte-s dhe shpresoj që t’i përgjigjet letrës sime dhe ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet. Për mua, ky është një turp i madh dhe një zhgënjim”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti serb pretendoi se zhvillimet rreth urës lidhen me përpjekjet për ta detyruar Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Kjo na tregon se nervozizmi ka hyrë në radhët e tyre, nuk dinë se si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë Kosovën e pavarur. Ne do të shohim se si t’i ndihmojmë popullit tonë”, tha ai.
Vuçiç shtoi se, sipas tij, situata ndërkombëtare po ndryshon, por jo me ritmin që Beogradi kishte pritur.
“Ngadalë, gjërat po ndryshojnë në botë, por jo aq shpejt sa kemi pritur. Çdo ditë një popull keqtrajtohet, dëbohet nga vatrat e tij. Do të shohim se cila do të jetë përgjigjja e tyre”, deklaroi presidenti serb.
Reagimi i Vuçiç vjen një ditë pasi Bashkimi Evropian konfirmoi se janë përmbushur kushtet që ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.
Ura mbi Ibër, e cila lidh Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut, prej vitesh ka qenë një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë dhe tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës.


