Trump kërkon të bllokojë urdhrin e gjykatës për dorëzimin e dokumenteve financiare në padinë ndaj BBC-së

06 Aug 2026 09:55
Shpërndaje:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar pezullimin urgjent të një urdhri gjykate që e detyron të nisë dorëzimin e dokumenteve financiare të perandorisë së tij të biznesit në kuadër të padisë për shpifje që ka ngritur kundër BBC-së.

Avokatët e Trump depozituan të mërkurën kërkesën pranë gjykatës federale në Miami, duke kërkuar që të pezullohet vendimi i gjyqtares Enjoliqué Lett. Ky vendim i jep BBC-së të drejtën të marrë informacione mbi performancën financiare të qindra kompanive të Trump, pasi ai pretendon se dokumentari i transmetuar nga rrjeti britanik në vitin 2024 i ka dëmtuar reputacionin, markën dhe bizneset.

Ekipi ligjor i presidentit argumenton se kërkesa për dokumente financiare është një përpjekje e BBC-së për ta shfrytëzuar procesin gjyqësor për përfitime politike dhe jo për qëllimet e çështjes.

Reklamë Ola

Nga ana tjetër, avokatët e BBC-së këmbëngulin se dokumentet janë të domosdoshme për të vlerësuar pretendimet e Trump për dëme financiare. Presidenti amerikan vazhdon të kërkojë 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, duke pretenduar se dokumentari manipuloi fjalimin e tij të 6 janarit 2021, duke krijuar përshtypjen se ai kishte nxitur drejtpërdrejt sulmin ndaj Kapitolit.

BBC ka pranuar se në dokumentar pati një gabim në montazh dhe ka kërkuar falje, por mohon se ka pasur qëllim për të shtrembëruar deklaratat e Trump apo se veprimi përbën shpifje sipas ligjit.

Reklamë InterMedika

Paralelisht, avokatët e Trump i kanë kërkuar gjykatësit Roy Altman të lejojë ndryshimin e padisë, duke kufizuar pretendimet te dëmi personal ndaj reputacionit të presidentit dhe duke shmangur referencat që hapën rrugën për kërkesën e BBC-së mbi të dhënat financiare të bizneseve të tij.

Ndërkohë, BBC i kërkoi gjykatës të mos shtyjë afatin për dorëzimin e dokumenteve financiare, duke akuzuar Trump se po përpiqet të shmangë detyrimet ligjore që ka marrë përsipër duke ngritur vetë padinë.

Rrjeti britanik bëri të ditur gjithashtu se Trump ka propozuar një datë për të dëshmuar nën betim në këtë proces, megjithëse data nuk është bërë publike. Padia ndaj BBC-së mbetet ende në shqyrtim, ndërsa gjykata nuk ka vendosur ende nëse do ta rrëzojë apo do ta lejojë të vazhdojë çështjen.