Thaçi thirrje politikës: Uluni në një tryezë, Kosova ka nevojë për marrëveshje

20 Aug 2026 21:57
Shpërndaje:

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë mes pozitës dhe opozitës, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me ngërçin institucional dhe partitë nuk kanë arritur ende të krijojnë institucionet e reja.

Në një intervistë me shkrim për RTV Dukagjini, e fundit para shpalljes së aktgjykimit ndaj tij në Hagë, Thaçi ka kërkuar që forcat politike të ulen në një tryezë dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështjet kryesore strategjike të Kosovës.

Pyetjet për intervistën i janë dërguar Thaçit më 9 mars 2026, kur Kosova ndodhej në një krizë politike dhe institucionale, ndërsa përgjigjet e tij janë finalizuar më 29 korrik. Edhe disa muaj më vonë, situata mbetet e pazgjidhur, pavarësisht zhvillimit të zgjedhjeve.

Reklamë Ola

Sipas Thaçit, pozita dhe opozita duhet të arrijnë zotime të përbashkëta për sigurinë kombëtare, reformat demokratike, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.

Një nga propozimet e tij është edhe ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Thaçi sugjeron që kreu i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, si një mënyrë për të shmangur krizat institucionale që lidhen me zgjedhjen e presidentit në Kuvend.

Reklamë InterMedika

“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta”, ka deklaruar Thaçi.

Ai rendit mes prioriteteve edhe integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian, ruajtjen e marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara, forcimin e raporteve me Shqipërinë dhe vijimin eventual të dialogut me Serbinë.

Deklaratat vijnë ndërsa Kosova vazhdon të përballet me vështirësi për funksionalizimin e institucioneve të reja dhe mungesën e një marrëveshjeje mes forcave kryesore politike.

Intervista është e fundit e Thaçit para vendimit të shumëpritur në Hagë. Më 16 shtator, në orën 10:00, pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.