Shqipëria dhe Kosova mes vendeve të para që do të pajisen me mjete të blinduara amerikane për misionin në Gaza

21 Aug 2026 18:57
Shpërndaje:

Shqipëria dhe Kosova do të jenë ndër vendet e para që do të pajisen me mjete të blinduara amerikane në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, pjesë e planit të presidentit amerikan Donald Trump që po zbatohet përmes Bordit të Paqes.

Në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, të zhvilluar më 19 shkurt në Uashington, Shqipëria dhe Kosova u renditën mes pesë vendeve që kanë premtuar të kontribuojnë me trupa në misionin ndërkombëtar për Gazën.

Në kuadër të përgatitjeve për dislokimin e forcave, Shqipëria dhe Kosova do të marrin nëntë transportues të blinduar të personelit. Mjetet do të vihen në dispozicion të forcave pjesëmarrëse për kryerjen e detyrave të sigurisë dhe stabilizimit në terren.

Reklamë Ola

Pajisja me mjete të blinduara është pjesë e një pakete financimi prej më shumë se 206 milionë dollarësh të parashikuar për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit. Rreth 200 milionë dollarë do të shkojnë për pajisje, automjete, infrastrukturë dhe shpenzime operacionale, ndërsa rreth 6.3 milionë dollarë janë parashikuar për përshtatjen e mjeteve të blinduara sipas nevojave të misionit.

Forca ndërkombëtare pritet të ketë një rol të gjerë në fazën e stabilizimit të Gazës. Sipas planit, trupat pjesëmarrëse do të angazhohen në sigurimin e zonave të caktuara, mbështetjen e procesit të çmilitarizimit, trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të forcave të reja palestineze të policisë, si dhe garantimin e kushteve të sigurisë për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Reklamë InterMedika

Deri më tani, pesë vende kanë premtuar kontribut me trupa në këtë forcë: Shqipëria, Kosova, Indonezia, Maroku dhe Kazakistani.

Ndërkohë, Egjipti dhe Jordania pritet të kenë një rol të veçantë në ngritjen e strukturave palestineze të sigurisë, duke marrë përsipër trajnimin e forcave të reja të policisë palestineze.

Përfshirja e Shqipërisë dhe Kosovës në grupin e parë të vendeve që kanë premtuar trupa, si dhe pajisja e tyre me mjete të blinduara amerikane, i vendos dy vendet shqiptare mes kontribuuesve të drejtpërdrejtë në mekanizmin ndërkombëtar të parashikuar për stabilizimin e Gazës.