Sondazhi: E djathta drejt “super shumicës” në Spanjë, Sanchez në vështirësi

17 Aug 2026 08:52
Shpërndaje:

Blloku i djathtë në Spanjë po forcon ndjeshëm pozitat, ndërsa qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez po përballet me një rënie të mbështetjes, sipas një sondazhi të institutit Sigma Dos për gazetën El Mundo.

Sondazhi, i realizuar nga 6 deri më 20 korrik, tregon se nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, aleanca mes Partisë Popullore (PP) dhe partisë së djathtë Vox do të siguronte jo vetëm shumicën absolute prej 176 mandatesh, por edhe një “super shumicë” me 196 deri në 204 vende në Parlament.

Sipas të dhënave, avantazhi i bllokut konservator ndaj së majtës dhe partive nacionaliste është zgjeruar, një prirje që analistët besojnë se mund të jetë përshpejtuar edhe nga kriza e emigrantëve në Ceuta.

Reklamë Ola

Në aspektin territorial, Partia Popullore dhe Vox do të ishin forca dominuese në 38 nga 50 provincat e Spanjës, ndërsa partitë e majta do të kryesonin vetëm në tetë. Kjo do t’i jepte bllokut konservator kontroll politik mbi 76% të territorit të vendit, krahasuar me 56% në zgjedhjet e vitit 2023.

Ndërkohë, koalicioni që solli Pedro Sanchez në pushtet do të ruante avantazhin vetëm në bastionet nacionaliste të Katalonjës, Baskisë dhe Navarrës, ndërsa në pesë provinca gara mbetet e hapur.

Reklamë InterMedika

Sondazhi evidenton gjithashtu vështirësitë e Partisë Socialiste (PSOE), e cila vijon të përballet me pasojat e skandaleve të korrupsionit që kanë prekur persona të afërt me kryeministrin, përfshirë bashkëshorten dhe vëllain e tij, ish-ministrin Jose Luis Abalos, si edhe ish-kryeministrin Jose Luis Rodriguez Zapatero.

Koalicioni qeverisës, ku bëjnë pjesë edhe partitë e majta radikale dhe forcat nacionaliste baske e katalanase, vazhdon të hasë vështirësi në miratimin e buxhetit të shtetit, i cili ka mbetur i bllokuar prej tre vitesh.

Sipas sondazhit, Partia Socialiste po humbet gradualisht terren, ndërsa aleati i saj Sumar po regjistron një rënie të vazhdueshme të mbështetjes. Në këtë situatë, Sanchez do të kryesonte vetëm në dy provinca, Barcelonë dhe Navarrë, duke humbur bastione tradicionale si Sevilja, Tarragona dhe Lleida.

Ndërkohë, Vox konsolidohet si forca e tretë politike në vend me 17.3% të votave. Partia e drejtuar nga Santiago Abascal rivalizon PSOE-në për vendin e dytë në 19 provinca dhe e ka kaluar tashmë në dy të tjera.

Sipas analistëve, menaxhimi i krizës së emigrantëve në Ceuta ka forcuar më tej mbështetjen për Partinë Popullore, e cila perceptohet nga një pjesë e elektoratit si alternativa më e besueshme për sigurinë dhe qeverisjen.

Në këtë klimë politike, rruga e Pedro Sanchez drejt një mandati të ri në krye të qeverisë spanjolle duket më e vështirë se kurrë.