Netanyahu refuzon planin për Gazën, takimi me Kushner mbyllet pa marrëveshje

17 Aug 2026 21:35
Shpërndaje:

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar të ecë përpara me planin e armëpushimit me Hamasin në Rripin e Gazës, pavarësisht presionit të të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.

Sipas CNN, takimi në Jerusalem zgjati më shumë se katër orë, por përfundoi pa një marrëveshje mes palëve.

Një burim izraelit i cituar nga media amerikane tha se Kushner i kërkoi Netanyahut të mbështeste planin e promovuar nga Trump dhe të “mos krijonte pengesa” për zbatimin e tij.

Reklamë Ola

Megjithatë, Netanyahu, i cili kishte kundërshtuar më herët planin me 15 pika, argumentoi se avancimi i tij në këtë moment do të ishte “problematik”, duke iu referuar zgjedhjeve të parakohshme në Izrael, të planifikuara për në fund të tetorit.

Sipas CNN, kryeministri izraelit po tregohet i kujdesshëm ndaj çdo lëshimi lidhur me Gazën përpara zgjedhjeve, ndërsa kërkon të ruajë mbështetjen e elektoratit të djathtë. Netanyahu raportohet se ndodhet prapa në sondazhet e fundit.

Reklamë InterMedika

Gjatë bisedimeve, Netanyahu u bëri të qartë Kushnerit dhe drejtorit të Board of Peace, Nickolay Mladenov, se sipas tij Hamasi duhet të jetë pala që ndërmerr hapat e parë për zbatimin e marrëveshjes.

Kushner dhe Mladenov kishin zhvilluar një ditë më parë bisedime me përfaqësues të Hamasit në Egjipt, në përpjekje për të afruar qëndrimet e palëve dhe për të çuar përpara planin amerikan.

Një nga pengesat kryesore mbetet rendi në të cilin duhet të zhvillohen çarmatimi i Hamasit dhe tërheqja e forcave izraelite nga Gaza.

Netanyahu kërkon çmilitarizimin e plotë të Hamasit përpara se Izraeli të fillojë tërheqjen e trupave nga Rripi i Gazës.

Hamasi, nga ana tjetër, ka deklaruar se është i gatshëm të çarmatoset vetëm nëse procesi zhvillohet paralelisht me tërheqjen graduale të forcave izraelite.

Dallimet mes dy palëve vazhdojnë kështu të pengojnë zbatimin e planit me 15 pika, ndërsa takimi disaorësh mes Netanyahut dhe Kushnerit nuk arriti të prodhonte një kompromis.