Erdogan: Anëtarësimi në BE nuk është më prioritet për Turqinë

17 Aug 2026 19:38
Shpërndaje:

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian nuk përbën më një prioritet për Ankaranë, megjithëse vendi nuk ka hequr dorë përfundimisht nga synimi për t’u bërë pjesë e bllokut.

“Bashkimi Evropian nuk është prioritet për ne”, deklaroi Erdogan gjatë një interviste për televizionin Al Jazeera.

Presidenti turk theksoi se Ankaraja vazhdon ta mbajë të hapur mundësinë e anëtarësimit, por procesi nuk zë më një vend qendror në politikën e vendit.

Reklamë Ola

Sipas Erdogan, nëse BE-ja vazhdon ta mbajë Turqinë jashtë bllokut, atëherë vetë Unioni do të jetë pala që do të humbasë.

Turqia mban statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që prej vitit 1999, ndërsa negociatat zyrtare nisën në vitin 2005.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, procesi ka mbetur praktikisht i ngrirë prej vitesh, mes shqetësimeve dhe kritikave të BE-së lidhur me demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave themelore në Turqi.

Deklaratat e Erdogan vijnë në një periudhë kur qeveria turke po përballet me kritika të shtuara për veprimet ndaj opozitës.

Në qendër të vëmendjes është çështja e Ekrem Imamoglu, ish-kryetarit të Bashkisë së Stambollit dhe një prej rivalëve më të rëndësishëm politikë të Erdogan.

Gjyqi ndaj Imamoglu pritet të vazhdojë në gjykatën e Silivrit në Stamboll. Ai përballet, ndër të tjera, me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe krijimin e një organizate kriminale.

Opozita turke pretendon se procesi gjyqësor është i motivuar politikisht dhe akuzon Erdogan se po përdor sistemin e drejtësisë për të eliminuar një prej rivalëve të tij kryesorë.

Qeveria turke i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe mohon se ndërhyn në sistemin gjyqësor.