×
Tuesday, October 3, 2023

Shqipëria, vend i mirë për kompanitë gjermane/ Plani i ri ekonomik i BE-së shans për tërheqjen e investimeve

October 18, 2020



 “Shqipëria është një vend mjaft i mirë për kompanitë gjermane”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në forumin “Europa Park”, që u zhvillua në Mynih, Gjermani.

“Në Shqipëri jemi shumë të prirur të shohim sa më shumë njerëz që të vijnë. Në turizëm kemi një rritje eksponenciale të interesit, natyrisht ky vit ishte ndryshe, por flas për vitin e  kaluar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “edhe investuesit po bëhen gjithmonë e më të interesuar të bëhen pjesë e rrugëtimit tonë për shkak të legjislacionit mjaft të favorshëm dhe për shkak të bukurisë së vendit”.

“Ne jemi mjaft të mirëpozicionuar sa u takon burimeve natyrore. Jemi i vetmi vend në rajon që furnizohet plotësisht me energji të pastër, duke qenë që energjia jonë bazohet  tek burimet hidrike. Në të njëjtën kohë jemi pjesë e një hapësire ku kalojnë gazsjellësi Trans Adriatik nga Azerbajxhani në Itali”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është një vend mjaft i mirë për të gjithë ata që duan të zhvillojnë prodhimin për shkak të kostos së punës, e cila është mjaft konkurruese”.

“Jemi të bindur se ne ofrojmë një mjedis të mirë për kompanitë që duan të jenë të pranishme me linjat e tyre të prodhimit për shkak të kostos së punës, për shkak të krahut të ri të punës, për shkak sepse njerëzit janë mjaft të aftë edhe me gjuhët e huaja. Është shumë interesante të shohësh kompanitë gjermane, nuk kemi shumë por kemi disa prej tyre. Sjellja e njerëzve është shumë e mirë dhe kompanitë gjermane janë shumë të kënaqura me këta njerëz dhe e ndiejnë sikur punojnë në Gjermani praktikisht, nën një drejtim që ka kulturën e punës e cila është mjaft e respektueshme dhe me standarde”, tha Rama.

Duke u ndalur te rajoni, Rama tha se “tashmë kemi këtë rezultat të parë mjaft të mirë të nismës së Kancelares në vitin 2014, kur ajo bëri bashkë në Berlin për herë të parë në historinë tonë, 6 qeveritë dhe udhëheqësit e rajonit të uleshin dhe të flisnit për të ardhmen”.

“Ishte hera e parë në histori. Ajo i dha fill procesit të Berlinit që synon të mbështesë rajonin për të ndërtuar ura bashkëpunimi për të zbatuar në rajon 4 liritë e Europës, për të punuar së bashku për një treg të përbashkët pa pa pritur derisa të bëhemi anëtare të BE-së. Po punojmë për të zbatuar hapësira më të mëdha se sa vendet tona, që të zbatojmë rregullat europiane”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ka një plan që u prezantua nga Komisioni javën e kaluar që është një fond prej 28 miliardësh për investim në energji, infrastrukturë dhe dixhitalizim.

“Është një mundësi e mirë sigurisht dhe është një shans i jashtëzakonshëm për t’u përfshirë kompanitë europiane apo gjermane si pjesë e planit për të ardhur në rajon për të ndërtuar autostrada, hekurudha dhe për të ndërtuar infrastrukturën energjetike, atë të gazsjellësit dhe sigurisht edhe infrastrukturën dixhitale”, tha Rama.

Kryeministri tha se shpreson fort se do të gjejmë mënyra me qeverinë gjermane dhe me kompanitë gjermane për të krijuar atë grupin e njerëzve të duhur, që do të na ndihmojnë t’i bëjmë gjithë gjërat bashkë e të zbatojmë këtë plan”.

“Nëse ky plan do të zbatohet rajoni do të jetë në një pozitë krejt të ndryshme dekadën e ardhshme”, tha Rama.

Në raport me rajonin tonë, Rama tha se “ka pasur një ndryshim të madh, ndryshimi i qasjes sonë me Serbinë”. “Unë e vizitova Serbinë 68 vjet pas vizitës së fundit të një kreu shteti shqiptar në Serbi dhe Vuçiçi, aso kohe kryeministër, e vizitoi Shqipërinë për herë të parë ndonjëherë si kryetar shteti i Serbisë. Sot marrëdhëniet janë shumë më të mira, dhe e përsëris, që në thelb është prej kuadrit që ka vendosur Kancelarja në raport me bashkëpunimin rajonal”, tha Rama.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments