Drejtuesi i MCC Brussels, një prej think tank-eve më të njohura të së djathtës në Bashkimin Europian, Frank Füredi, ka dhënë dorëheqjen me efekt të menjëhershëm, duke akuzuar financuesit e organizatës se nuk kanë përmbushur detyrimet financiare dhe kanë lënë punonjësit pa paga.
Në një letër drejtuar bordit të Mathias Corvinus Collegium të hënën, të siguruar nga POLITICO, Füredi deklaroi se largohet nga posti i drejtorit ekzekutiv të MCC Brussels për një “shkak të rëndë që i atribuohet ekskluzivisht punëdhënësit”.
Sipas tij, detyrimet kontraktuale janë “shkelur në mënyrë të pakthyeshme nga dështimi i vazhdueshëm i punëdhënësit për të siguruar fondet e përcaktuara në kontratë”.
MCC Brussels u themelua në vitin 2022 me mbështetjen e qeverisë hungareze të drejtuar në atë kohë nga Viktor Orbán. Dorëheqja e Füredi vjen në një moment tensionesh në rritje mes organizatës dhe qeverisë së re hungareze.
Mathias Corvinus Collegium me seli në Hungari drejtohej nga Balázs Orbán, një aleat i afërt dhe ish-drejtor politik i Viktor Orbán, me të cilin nuk ka lidhje familjare. Balázs Orbán u largua nga drejtimi në qershor, duke akuzuar qeverinë e re se po çmontonte organizatën, e cila kishte rreth 7 mijë studentë dhe 300 punonjës.
MCC Brussels financohej pothuajse tërësisht përmes një granti nga institucioni me seli në Budapest.
Kryeministri Péter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e prillit duke i dhënë fund 16 viteve të Viktor Orbán në pushtet, ka akuzuar MCC se ishte pjesë e një rrjeti të mbështetur nga shteti për përhapjen e pikëpamjeve politike të ish-partisë në pushtet. Organizata kishte përfituar gjatë qeverisjes së Orbán edhe mbështetje të konsiderueshme përmes transferimit të aseteve shtetërore.
“Shteti nuk do të financojë institucionet e Mathias Corvinus Collegium”, kishte deklaruar Magyar pas zgjedhjeve. Ai ngriti gjithashtu dyshime mbi mënyrën se si ishte financuar organizata, duke thënë se çështja duhet të shqyrtohet nga autoritetet.
Sipas letrës së Füredi, fondet për MCC Brussels janë bllokuar, duke bërë që punonjësit të mbeten pa paga dhe disa projekte të mos mund të realizohen.
“Pa burimet e përcaktuara në kontratë, kolegët tanë nuk mund të funksionojnë dhe po përballen me vështirësi serioze ekonomike”, shkroi ai.
Füredi argumentoi se largimi i tij është tashmë mënyra e vetme për të ruajtur arritjet dhe trashëgiminë e MCC Brussels, si dhe për të vazhduar promovimin e vlerave që organizata ka përfaqësuar.
Mathias Corvinus Collegium nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së POLITICO për koment.
MCC Brussels është pozicionuar gjatë viteve të fundit si një zë i rëndësishëm i së djathtës europiane, duke mbrojtur hapur populizmin dhe duke bashkëorganizuar aktivitete me grupin Patriots for Europe për tema si migracioni, çështjet gjinore dhe ndërhyrjet në zgjedhje.
Organizata kishte deklaruar më herët se synonte të gjente burime alternative financimi për të vazhduar aktivitetin e saj.
Problemet për MCC Brussels janë shtuar edhe në nivel europian. Në qershor, Regjistri i Transparencës i BE-së pezulloi anëtarësimin e organizatës, një vendim që mund të ndikojë në aksesin e saj në Parlamentin Europian.
MCC Brussels i ka mohuar pretendimet për parregullsi në regjistrim dhe e ka cilësuar masën si një përpjekje për ta goditur organizatën për arsye ideologjike.


