Begaj pret ambasadoren e re të Holandës: Mbështetja për integrimin në BE, e rëndësishme për objektivin e vitit 2030

31 Aug 2026 15:10
Shpërndaje:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për thellimin e marrëdhënieve me Holandën, të cilën e cilësoi një partner të rëndësishëm europian dhe një aleat të besueshëm në NATO.

Në bisedën mes kreut të shtetit dhe ambasadores Monster u vlerësua niveli i marrëdhënieve politike mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimi ekonomik, i cili është konsoliduar gjatë viteve.

Reklamë Ola

Presidenti Begaj falënderoi Mbretërinë e Holandës për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në një sërë fushash, përfshirë mbrojtjen, rendin dhe sigurinë, shtetin e së drejtës, forcimin e institucioneve demokratike, shoqërinë civile dhe median.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Përmes ambasadores Monster, Begaj përcolli mirënjohjen për mbështetjen që Holanda i ka dhënë vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Reklamë InterMedika

Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu ekspertizën dhe asistencën holandeze në procesin e reformave, duke e konsideruar të rëndësishme për përmbushjen e ambicies së Shqipërisë për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.

Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj i uroi ambasadores Marleen Monster suksese në mandatin e saj diplomatik në Shqipëri dhe theksoi gatishmërinë e institucioneve shqiptare për të vijuar bashkëpunimin dhe për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.