Shtetet e Bashkuara kanë riafirmuar mbështetjen për sovranitetin e Spanjës mbi enklavat e Ceutës dhe Melillës, duke hedhur poshtë zërat se Uashingtoni po vinte në dyshim statusin e tyre. Megjithatë, administrata amerikane kritikoi qeverinë e kryeministrit Pedro Sánchez për mënyrën se si menaxhoi krizën e fundit të emigrantëve në Ceuta.
Deklarata vjen pas hyrjes së rreth 72 mijë emigrantëve nga Maroku në Ceuta javën e kaluar, një ngjarje që ka rritur shqetësimet në Spanjë për sigurinë e enklavave të saj në Afrikën e Veriut.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, deklaroi se politika e SHBA-së ndaj Ceutës dhe Melillës nuk ka ndryshuar.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin pa asnjë mëdyshje sovranitetin e Spanjës mbi Ceutën dhe Melillën”, u shpreh ai.
Pigott sqaroi gjithashtu se një raport i fundit i Kongresit amerikan, ku enklavat përshkruheshin si pjesë e “territorit maroken”, nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane dhe nuk ka fuqi ligjore.
Megjithatë, zyrtari amerikan akuzoi qeverinë spanjolle se nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për mbrojtjen e kufijve.
Sipas tij, hyrja masive e emigrantëve në Ceuta ishte pasojë e “refuzimit të qeverisë spanjolle për të mbrojtur sovranitetin, kufijtë dhe qytetarët e saj”.
Ai u bëri thirrje autoriteteve spanjolle të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për largimin e emigrantëve të paligjshëm dhe rikthimin e kontrollit të plotë mbi kufijtë.
“Emigracioni masiv dhe i pakontrolluar në Ceuta rrezikon sigurinë e qytetarëve spanjollë dhe të gjithë Evropës. Departamenti i Shtetit mbështet popullin spanjoll dhe të gjithë evropianët në mbrojtje të sovranitetit të tyre dhe mirëpret çdo përpjekje për të zmbrapsur emigracionin e paligjshëm, për të larguar emigrantët e paligjshëm nga territori evropian dhe për të garantuar sigurinë e kufijve”, deklaroi Pigott.
Kriza në Ceuta fillimisht shkaktoi kritika të forta ndaj Spanjës nga disa vende të Bashkimit Evropian. Megjithatë, pas mbledhjes së ministrave të Brendshëm të BE-së, shtetet anëtare shprehën mbështetje për Madridin dhe vlerësuan mënyrën se si autoritetet spanjolle menaxhuan situatën.


