SHBA mbështet Shqipërinë për kuadrin e ri të investimeve, VanHorn: Zbatimi do të jetë vendimtar
Diplomatja amerikane Nancy VanHorn vlerësoi kuadrin e ri për shqyrtimin e investimeve të huaja në Shqipëri, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm strategjik për forcimin e sigurisë ekonomike të vendit dhe krijimin e një klime më të besueshme për investitorët ndërkombëtarë.
Gjatë fjalës së saj, VanHorn falënderoi organizatorët për mikpritjen dhe vlerësoi bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare dhe komunitetit të biznesit, duke theksuar se të gjithë aktorët e përfshirë ndajnë të njëjtin vizion për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
Ajo shprehu mirënjohje për Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, duke nënvizuar se angazhimi i ministrisë në ndërtimin e mekanizmit të shqyrtimit të investimeve ka qenë vendimtar për avancimin e këtij procesi. Sipas saj, Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë krah Shqipërisë në këtë nismë dhe do të vazhdojnë ta mbështesin vendin në zbatimin e saj.
VanHorn theksoi se kuadri për shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte nuk duhet parë si një procedurë e zakonshme burokratike, por si një deklaratë e qartë strategjike që demonstron gatishmërinë e Shqipërisë për të mirëpritur investime të huaja, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e interesave kombëtare dhe përputhjen me standardet ndërkombëtare.
Sipas saj, investitorët po i ndjekin me vëmendje këto zhvillime, përfshirë edhe kompanitë amerikane që tashmë operojnë në Shqipëri në sektorë si energjia, ndërtimi dhe teknologjia. Ajo shtoi se ka edhe shumë kompani të tjera që po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në vend, por për të marrë vendime afatgjata ato kanë nevojë për siguri dhe besim tek sistemi.
“Investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla”, theksoi VanHorn.
Diplomatja amerikane bëri gjithashtu një lidhje me politikën amerikane të investimeve, duke kujtuar se Presidenti Donald Trump, gjatë prezantimit të politikës së investimeve të SHBA-së vitin e kaluar, kishte theksuar rëndësinë e mirëpritjes së investimeve që nxisin rritjen ekonomike, duke siguruar njëkohësisht mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe sektorëve strategjikë.
Sipas VanHorn, qasja që Shqipëria po ndjek për shqyrtimin e investimeve të huaja është e ndërtuar mbi të njëjtin parim dhe kjo përputhje me standardet dhe prioritetet e vendeve partnere është një element me rëndësi të veçantë.
Ajo nënvizoi se miratimi i kuadrit ligjor është vetëm fillimi i procesit, ndërsa sfida më e madhe mbetet zbatimi i tij në praktikë. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë me qeverinë shqiptare, ministritë përgjegjëse dhe institucionet përkatëse për të garantuar funksionimin efektiv të mekanizmit të ri.
VanHorn iu drejtua edhe përfaqësuesve të biznesit të pranishëm në sallë, duke theksuar se mekanizmat e shqyrtimit të investimeve nuk janë krijuar për të penguar aktivitetin ekonomik, por për ta mbrojtur atë.
Ajo argumentoi se kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatohen në mënyrë të qëndrueshme, përfiton i gjithë tregu, pasi krijohen kushtet për tërheqjen e investimeve cilësore dhe afatgjata që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në përfundim, diplomatja amerikane tha se qëllimi i këtij procesi është të sjellë në të njëjtën tryezë institucionet shtetërore, komunitetin e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë, për të kuptuar më mirë funksionimin e kuadrit të ri, sfidat e zbatimit dhe hapat që do të ndiqen në vijim.
Sipas saj, Shqipëria ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara në forcimin e klimës së investimeve dhe mbrojtjen e sektorëve strategjikë, ndërsa puna që e pret vendin në fazën e zbatimit do të jetë vendimtare për suksesin e kësaj nisme.






