Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme ajrore gjatë natës, pas disa ditësh qetësie relative në kryeqytetin ukrainas, ndërsa zhvillimet kanë vënë në gatishmëri edhe Poloninë.
Në Kiev, sulmet ajrore ruse kanë shkaktuar të paktën dy viktima dhe 10 të plagosur, sipas autoriteteve ushtarake lokale. Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet në zonat e goditura, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet.
Sulmet ruse ndaj kryeqytetit ukrainas ishin pezulluar për tre ditë gjatë vizitës në Ukrainë të emisarëve të Presidentit amerikan Donald Trump, të cilët po zhvillonin bisedime në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, sulme janë raportuar edhe në territorin rus. Qyteti i Saratovit është goditur nga dronë ukrainas, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile.
Guvernatori i rajonit, Roman Busargin, bëri të ditur se të paktën 10 persona janë plagosur, mes tyre tre fëmijë.
“Është dëmtuar infrastruktura civile. Të gjitha shërbimet e emergjencës po punojnë në terren”, deklaroi Busargin.
Sipas tij, raportimet paraprake flasin edhe për viktima, ndërsa autoritetet ruse po vijojnë vlerësimin e dëmeve dhe operacionet e emergjencës në zonat e prekura.
Përshkallëzimi i aktivitetit ajror ka vënë në alarm edhe Poloninë. Komanda Operative e Forcave të Armatosura polake njoftoi se ka aktivizuar avionët ushtarakë si masë parandaluese në përgjigje të sulmeve ruse në Ukrainë.
Krahas avionëve, në gatishmëri të shtuar janë vendosur edhe sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe sistemet e zbulimit me radar.
Autoritetet polake thanë se masat synojnë të garantojnë sigurinë e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat pranë kufirit me Ukrainën, të cilat konsiderohen më të ekspozuara ndaj pasojave të aktivitetit ushtarak.
Sulmet e ndërsjella vijnë ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mes Moskës dhe Kievit vazhdojnë, por deri tani pa një përparim të dukshëm drejt një armëpushimi të qëndrueshëm.


