Rritet mbështetja e kroatëve ndaj Bashkimit Europian. Euroskeptikët më të paktë në krahasim me Referendumin e 2012
Sondazhi, i financuar nga BE, u krye nga agjensia IPSOS Puls ndërmjet 27 nëntorit dhe 3 dhjetorit 2019. Në këtë sondazh morën pjesë 1,005 kroatë.
Nëse do të mbahej sot një referendum për pranimin në BE të Kroacisë, 68 përqind e të anketuarve do të ishin pro dhe 28 përqind do të votonin kundër. Krahasimi me rezultatet e referendumit të vitit 2012, ku kroatët u pyetën nëse vendi i tyre duhej të anëtarësohej në BE, 67 përqind e atyre që shkuan në votime mbështesin hyrjen në BE dhe 33 përqind ishin kundër tij, trgon qartë një ulje të euroskeptikëve në vend dhe një rritje të lehtë të mbështetësve të Bashkimit Europian. Në bazë të rezultateve të sondazhit, rreth 43 përqind e të anketuarve e shohin BE-në në një dritë pozitive, kryesisht ato të grupmoshës 18 – 30 vjeç.
Ky sondazh merr një rëndësi edhe për zgjerimin për shkak se më 1 janar, Zagrebi do të marrë për herë të parë pas anëtarësimit në BE, presidencën e rradhës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Në kuadër të presidencës së saj do të zhvillohet në maj 2020 samiti i BE-Ballkan Perëndimor ku do të vendoset në lidhje me hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në këtë samit, Kroacia do të vendoset në rolin e ndërmjetësuesit për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor vis a vis Bashkimit Europian dhe një mbëstetje në rritje e kroatëve e përforcon rolin e saj në BE.
Eunews.al