“Roli kontrollues i Kuvendit në çështjet e integrimit është forcuar”




Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar seancën plenare të hapjes së sesionit të ri parlamentar, që është edhe sesioni i fundit i legjislaturës së nëntë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha se gjatë sesionit të kaluar Kuvendi i Shqipërisë realizoi tre objektiva madhor, sipas tij, bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, kryerjen e reformës zgjedhore dhe marrjen e vendimit të Këshillit Evropian për çeljen e negociatave.
“Kjo legjislaturë, sidomos sesioni që kaloi, do të mbahet mend edhe për një arritje tjetër, për të cilën Kuvendi ka kontribut të pazëvendësueshëm. Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky ishte një sukses i merituar për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe një arritje për BE-në sepse hapet drejt një rajoni me rrënjë e aspirata evropiane dhe zgjeron kufijtë e vet politikë drejt atyre gjeografikë e kulturorë”, tha Ruçi.
Në vijim të fjalës së tij, Ruçi duke folur për rritjen e rolit monitorues të Kuvendit tha se: “Roli kontrollues i Kuvendit në çështjet e integrimit është forcuar, përmes përdorimit më të shpeshtë e më cilësor të instrumenteve të kontrollit parlamentar të procesit”.
Sipas tij, Komisioni dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian kanë luajtur një rol kyç për monitorimin e reformave dhe plotësimin e rekomandimeve në kuadër të integrimit.
Ruçi theksoi se në sesionin e ri kanë disa objektiva për të arritur, sipas tij, fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit në çështjet e integrimit evropian, rritjen e transparencës parlamentare dhe përmirësimin e funksionimit të veprimtarive parlamentare.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij tha se BE-ja la fatin e vaksinimit të njerëzve në Ballkanin Perëndimor tek marrëveshjet bilaterale.
“Në konceptin e planifikimit të marrjes së aksesit, përmes Pfizer, BE nuk pa përtej kufijtë të vetvetes, e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajonin tonë në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilaterale. Sot përjashto Serbinë dhe Shqipërinë, asnjë vend tjetër s’ka filluar me vaksinimin. Të gjitha vendet e rajonit, ashtu si vendet e tjera prej kohësh kanë parapaguar për akses në vaksinë përmes COVAX, një platformë e ndërtuar pikërisht për t’iu dhënë, për të aksesuar pavarësisht statusit në aspektin ndërkombëtar. COVAX ende nuk është hapur. Akoma nuk ka filluar furnizimi”, deklaroi Rama.
Ndërkohë, në fund të seancës Kuvendi miratoi aktin normativ për miratimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe kompanisë Pfizer për furnizimin me vaksinën kundër COVID-19.
Eunews.al
