Republikanët në Kongresin amerikan kanë publikuar regjistrime audio të ish-presidentit Joe Biden, të cilat ai kishte kërkuar prej vitesh të mbeteshin konfidenciale. Regjistrimet lidhen me hetimin për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pas përfundimit të mandatit të tij si zëvendëspresident.
Në audio dëgjohet Biden duke pranuar se kishte në posedim materiale të klasifikuara gjatë përgatitjes së librit të tij të kujtimeve “Promise Me, Dad”, në bashkëpunim me shkrimtarin Mark Zwonitzer.
Në një regjistrim të shkurtit 2017, vetëm një muaj pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë, Biden dëgjohet të thotë: “Sapo gjeta të gjitha materialet e klasifikuara poshtë. Bëj kujdes.”
Në një tjetër regjistrim të tetorit 2016, kur ende shërbente si zëvendëspresident në administratën e Barack Obamës, ai i thotë bashkëautorit: “Kam shumë shënime nga kjo periudhë… Ata (Shtëpia e Bardhë) nuk e dinin që i kisha këto.”
Regjistrimet u publikuan pas një beteje ligjore të zhvilluar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe organizata konservatore Oversight Project, të cilët kërkuan vënien e tyre në dispozicion të publikut.
Materialet ishin përdorur më parë si pjesë e hetimit të Departamentit amerikan të Drejtësisë në vitin 2024 për mënyrën se si Biden kishte trajtuar dokumentet e klasifikuara.
Zëdhënësi i Bidenit, TJ Ducklo, e kritikoi publikimin e regjistrimeve, duke e cilësuar atë si një tjetër shembull të përdorimit politik të Departamentit të Drejtësisë.
“Është e gabuar dhe, edhe pse presidenti Biden nuk pajtohet me vendimin e sotëm, ai respekton gjykatat dhe rolin jetik të një sistemi gjyqësor të pavarur në një demokraci të shëndetshme”, deklaroi Ducklo.
Regjistrimet zgjasin më shumë se dy orë dhe përmbajnë disa pjesë të redaktuara. Republikanët pretendojnë se këto ndërhyrje synojnë të fshehin segmente ku Biden flet për dokumentet e klasifikuara.
Në vitin 2024, prokurori special Robert Hur shqyrtoi regjistrimet dhe transkriptet gjatë hetimit të tij. Ai arriti në përfundimin se Biden kishte mbajtur në mënyrë të papërshtatshme disa materiale të klasifikuara, por nuk rekomandoi ngritjen e akuzave penale.
Sipas raportit të Hur, një nga arsyet ishte se një juri mund ta perceptonte Bidenin si “një burrë të moshuar, dashamirës dhe me kujtesë të dobët”.


