Kreu i Partisë Mundësia dhe deputeti Agron Shehaj është përjashtuar për 60 ditë nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare, pas vendimit të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend.
Masa disiplinore u mor pas kërkesës së Partisë Socialiste, e cila e akuzoi Shehajn për incidentin e ndodhur një ditë më parë gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huasë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak.
Sipas socialistëve, dokumenti përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pasi deputetët të kishin nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit.
Në kërkesën e PS-së thuhet se Shehaj kërkoi të merrte me vete kopjen fizike të dokumentit, por u kundërshtua nga administrata e Kuvendit. Më pas, sipas socialistëve, deputeti e mori dokumentin me forcë dhe u largua.
Sipas shkresës së depozituar, një këshilltare e Kuvendit, e cila tentoi të rimerrte dokumentin, u rrëzua në shkallë gjatë ndjekjes së deputetit dhe pësoi dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive, ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të papranueshme”, thuhet në kërkesën e Partisë Socialiste.
Përveç përjashtimit 60-ditor nga aktiviteti parlamentar, PS ka kërkuar edhe referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke argumentuar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve, pengimin e detyrës së funksionarëve publikë dhe shkeljen e rregullave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.
Nga ana tjetër, Agron Shehaj i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij kishin për qëllim denoncimin e mungesës së transparencës lidhur me dokumentacionin e marrëveshjes dhe, sipas tij, shkeljen e Kushtetutës për kalimin me procedurë të përshpejtuar të ligjit.


