Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shënuar një tjetër rekord gjatë muajit gusht, duke regjistruar 1 milion e 717 mijë pasagjerë, bëri të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhja.
Sipas ministrit, shifrat dëshmojnë rritjen e fluksit të udhëtarëve dhe konsolidimin e Shqipërisë si një destinacion turistik gjithnjë e më i kërkuar nga vizitorët e huaj.
“1 milion e 717 mijë pasagjerë vetëm gjatë muajit gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Një shifër që flet qartë për Shqipërinë turistike që po konsolidojmë dhe për interesin gjithnjë e më të madh të vizitorëve të huaj për vendin tonë”, deklaroi Gonxhja.
Një rekord i veçantë është regjistruar më 17 gusht, kur përmes aeroportit kanë kaluar mbi 60 mijë pasagjerë dhe janë realizuar 326 fluturime brenda një dite.
Rezultatet e gushtit pasojnë shifrat e larta të regjistruara edhe në korrik. Sipas Gonxhes, gjatë atij muaji Aeroporti i Tiranës përpunoi afro 1 milion e 650 mijë pasagjerë, ose 28.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Këto rezultate konfirmojnë rritjen e qëndrueshme të turizmit dhe interesin në rritje për Shqipërinë. Edhe vlerësimet europiane e mbështesin këtë ecuri, duke e renditur Tiranën ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në kategorinë e aeroporteve të mëdha”, u shpreh ministri.
Gonxhja theksoi se shtimi i lidhjeve ajrore dhe numrit të pasagjerëve krijon më shumë mundësi jo vetëm për sektorin e turizmit, por edhe për ekonomitë lokale dhe rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë në tregun ndërkombëtar.
Sipas tij, rritja e vazhdueshme e interesit për vendin sjell njëkohësisht edhe përgjegjësi për përmirësimin e cilësisë së ofertës turistike dhe zhvillimin e një modeli të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor.
“Më shumë lidhje ajrore do të thotë më shumë mundësi për turizmin, më shumë zhvillim për ekonomitë lokale dhe një Shqipëri më e hapur, më e aksesueshme dhe më konkurruese në tregun ndërkombëtar të turizmit. Kjo rritje është njëkohësisht një përgjegjësi për të vijuar punën për një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, që e shndërron interesin në rritje për Shqipërinë në zhvillim dhe mirëqenie për komunitetet tona”, theksoi Gonxhja.


