Rama uron Melonin për rekordin: Tani të ka mbetur të thyesh rekordin tim

04 Sep 2026 10:30
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar homologen italiane Giorgia Meloni për rekordin e shënuar në krye të qeverisë italiane, duke e shoqëruar mesazhin e tij me batuta për jetëgjatësinë politike, rolin e grave në pushtet dhe raportet e Italisë me Europën.

Në mesazhin drejtuar Melonit, Rama iu referua faktit se kryeministrja italiane ka arritur një rekord të ri për qëndrueshmërinë në drejtimin e qeverisë së vendit.

“Giorgia, lexoj se që nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Por vërtet? Unë isha mësuar me Marion të ndryshonte bashkëbiseduesit në Romë pothuajse me të njëjtin ritëm si ndryshimet e trajnerëve te Milani”, u shpreh Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri solli në vëmendje edhe shqetësimet që ekzistonin në kampin e majtë europian kur Meloni mori drejtimin e qeverisë italiane, duke thënë se parashikimet e asaj kohe nuk u materializuan.

“E megjithatë, shiko çfarë demokracie e çuditshme italiane: nuk duket aspak si një rrezik, pavarësisht gjithçkaje që, sidomos ne në të majtë, kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi”, tha Rama.

Reklamë InterMedika

Ai përmendi edhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke kujtuar se në fillim kishte pasur shqetësime për kursin që mund të ndiqte qeveria e Melonit.

Sipas Ramës, në vend që të përplasej me Europën, kryeministrja italiane zgjodhi të bashkëpunonte me të dhe kontribuoi në ndryshimin e qasjes europiane ndaj disa çështjeve të rëndësishme.

“Në vend që të marshoje mbi trupin e Europës, siç kishim frikë, ti e përqafove Europën dhe madje e ndihmove të kuptonte më mirë disa gjëra: ruajtjen e sigurisë, luftën kundër emigracionit të paligjshëm, sigurisht”, deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar bëri më pas edhe një batutë për rolin gjithnjë e më të madh të grave në politikën italiane, duke thënë se burrat janë nxjerrë nga “lufta për pushtet”.

“Ka një deficit të madh demokratik në Itali. I ke nxjerrë jashtë burrat nga lufta për pushtet, e cila tashmë është kthyer në një çështje mes grave, ekskluzivisht mes grave”, tha ai.

Në fund, Rama e sfidoi me humor Melonin që të synojë edhe rekordin e tij të qëndrimit në pushtet.

“Çfarë të të them e dashur, Giorgia? Tani ka edhe një rekord tjetër për t’u thyer: rekordi im”, u shpreh Rama.

Ai iu referua gjithashtu jetëgjatësisë së ish-kancelares gjermane Angela Merkel, duke bërë një tjetër batutë për pozicionin e Italisë dhe Shqipërisë në raport me Gjermaninë.

“Dhe mos të më thonë se Italia nuk është në Ballkan, sepse ne jemi gjithmonë pas Gjermanisë, ku një tjetër zonjë e shquar ka qeverisur edhe më gjatë se unë”, tha Rama.

Kryeministri e mbylli mesazhin e tij me urimin: “Rroftë Italia, rrofshin gratë, italiane dhe shqiptare”.