Shqipëria do të ketë Institutin e parë të Tumoreve

30 Jul 2026 12:07
Shpërndaje:

Qeveria ka miratuar vendimin për ngritjen e Institutit të parë të Tumoreve në Shqipëri, një strukturë që do të funksionojë sipas modeleve europiane dhe do të ketë si referencë Institutin e Tumoreve në Milano.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cilësoi vendimin historik, duke theksuar se instituti do të mbështetet në tre shtylla kryesore: shërbimin klinik, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor.

“Shqipëria do të ketë për herë të parë një Institut të Tumoreve, një institut sipas modeleve europiane. Kemi marrë modelin e Milanos”, deklaroi Sala.

Reklamë Ola

Sipas saj, në fushën klinike do të ofrohen shërbime të kirurgjisë onkologjike, kimioterapisë dhe radioterapisë, ndërsa institucioni do të angazhohet edhe në formimin e specialistëve të onkologjisë.

Një nga risitë kryesore do të jetë ngritja e njësisë së studimeve klinike, e cila do t’u mundësojë pacientëve shqiptarë të bëhen pjesë e studimeve ndërkombëtare dhe të kenë akses në barna inovative.

Reklamë InterMedika

Sala theksoi se përmes anëtarësimit të institutit në rrjetet europiane të qendrave onkologjike, Shqipëria do të ketë mundësi të përfitojë fonde europiane për kërkimin shkencor, barnat dhe teknologjitë e avancuara.

Instituti do të funksionojë pranë shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe do të shërbejë si qendër kombëtare koordinuese për pikat e kimioterapisë në vend. Aktualisht funksionojnë tetë pika kimioterapie, ndërsa me hapjen e pikës së re në Spitalin Rajonal të Fierit numri i tyre do të shkojë në nëntë.

Ministrja bëri të ditur se vendimi i miratuar nga Qeveria krijon bazën ligjore për institutin, ndërsa tashmë do të nisë puna për ngritjen e strukturës dhe përcaktimin e mënyrës së funksionimit të tij.

Sa i përket financimit, Sala sqaroi se instituti do të mbështetet nga buxheti i shtetit, ndërsa për komponentin e kërkimit shkencor do të ketë një fond të dedikuar shtesë.

Ajo shtoi se një tjetër objektiv është përfshirja e mjekëve shqiptarë të diasporës në zhvillimin e institutit, si përmes bashkëpunimit nga jashtë, ashtu edhe përmes rikthimit të tyre në Shqipëri, për të cilët është krijuar një platformë e posaçme aplikimi.