Rama: “S’ka projekt për të anuluar në Zvërnec, po përhapet një çmenduri totale”

01 Jun 2026 22:33
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas protestës së zhvilluar në Tiranë kundër investimit të planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se aktualisht nuk ekziston një projekt i përfunduar që mund të anulohet.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama iu drejtua kundërshtarëve të investimit duke thënë:

“Të anuloj projektin? Për këtë i thirrët në protestë njerëzit e mirë që ju erdhën pas edhe sot?

Reklamë Ola

Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anulojmë! Po si i bëhet që ju s’keni çfarë sillni sepse nuk ka projekt?

E dini pse nuk ka projekt?

Reklamë InterMedika

Sepse projekti po punohet nga pesë studio ndër më prestigjiozet në botë! Klikoni Kengo Kuma (Japoni), Bjarke Ingels (Danimarkë), Jean Nouvel (Francë), Emre Arolat (Turqi), K-Studio (Greqi) dhe njihuni me autorët e projektit arkitektonik.”

Sipas tij, projekti është ende në fazën e hartimit dhe do të prezantohet publikisht sapo të përfundojë.

“Së shpejti, kur projekti të jetë gati, patjetër do ta prezantojmë publikisht, siç bëjmë gjithnjë me projektet e mëdha të arkitektëve ndërkombëtarë, aq më tepër për një investim historik si ky.

Kështu që më vjen keq, po s’kemi projekt për të anuluar.”

Rama hodhi poshtë edhe pretendimet që lidhin investimin me Izraelin apo me vendosjen e palestinezëve në zonë.

“Po me ‘Izraelin që ka marrë Zvërnecin për ta bërë geto palestineze’, akoma do vazhdoni?

Ata duhet ta dinë të vërtetën e bukur, se bashkëinvestitorët e sipërmarrjes më të madhe turistike në Mesdheun e sotëm të Europës, atje në Zvërnec, janë miq të çmuar amerikanë të Shqipërisë dhe miq nga Katari.”

Kryeministri tha se investimi parashikohet të realizohet nga kompania “Assets”, pjesë e grupit “Power Holding”, ndërsa akuzoi kundërshtarët e projektit për përhapje dezinformimi dhe manipulim të opinionit publik.

“Do shohim, e vërteta vonon po nuk harron dhe gënjeshtrat tuaja kanë nisur që sot t’i nxjerrin këmbët e shkurtra”, përfundoi Rama.