Hungaria përballet me krizë energjetike, mbyllet centrali bërthamor i Paksit

02 Aug 2026 20:51
Shpërndaje:

Hungaria po përballet me atë që kryeministri Péter Magyar e ka cilësuar si “pesë ditët më kritike”, pasi thatësira rekord që ka përfshirë Evropën Qendrore detyroi mbylljen e plotë të centralit bërthamor të Paksit, i cili prodhon rreth 40 për qind të energjisë elektrike të vendit.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Magyar paralajmëroi se sistemi energjetik do të përballet me një presion të jashtëzakonshëm gjatë ditëve në vijim dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë përgjegjësi në përdorimin e energjisë elektrike.

Mbyllja e centralit erdhi pasi niveli i ujit në lumin Danub vazhdoi të bjerë për shkak të thatësirës së zgjatur. Centrali i Paksit përdor ujin e lumit për ftohjen e reaktorëve, ndërsa autoritetet vendosën të ndalin edhe njësitë e fundit që ishin ende në funksion.

Reklamë Ola

“Sot centrali mbyllet plotësisht për herë të parë në 44 vjet”, deklaroi Magyar, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë.

I ndërtuar gjatë periudhës sovjetike, centrali bërthamor i Paksit është shtylla kryesore e furnizimit me energji elektrike në Hungari. Humbja e prodhimit ka detyruar qeverinë të aktivizojë masa emergjente për kursimin e energjisë dhe të kërkojë mbështetje nga vendet fqinje.

Reklamë InterMedika

Autoritetet paralajmërojnë se ndërprerja e zgjatur e centralit mund të krijojë probleme serioze në furnizimin me energji, në një kohë kur temperaturat në Budapest pritet të kalojnë 40 gradë Celsius gjatë javës së ardhshme, duke rritur ndjeshëm kërkesën për energji elektrike.

Kryeministri hungarez tha se vendi mund të përballet me një situatë emergjente energjetike që nga dita e hënë, duke theksuar se nevojiten masa të koordinuara dhe vetëpërmbajtje për të shmangur pasoja edhe më të rënda.

Qeveria u ka kërkuar familjeve dhe bizneseve të ulin konsumin e energjisë gjatë orëve të pikut, nga ora 17:00 deri në 22:00, duke kufizuar përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë, si kondicionerët dhe lavatriçet.

Njëkohësisht, autoritetet kanë përgatitur një plan emergjent që parashikon kufizime të përkohshme të konsumit për objektet industriale në mënyrë të alternuar, ndërsa po rritet prodhimi nga burime të tjera energjie për të kompensuar mungesën e centralit bërthamor.

Ndërkohë, Komisioni Evropian bëri të ditur se po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të thërrasë një mbledhje urgjente të Grupit të Koordinimit të Energjisë Elektrike të Bashkimit Evropian për të vlerësuar pasojat e mbylljes së centralit të Paksit.